Connect with us

Rajon

Është zëri i Moskës/ Biserko për Vuçeviç pasi kërcënoi Malin e Zi për Kosovën

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se letra që kryetarët e Komisioneve parlamentare për Punë të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë e disa vendeve të tjera, ua kanë dërguar kryediplomatëve evropiano-amerikanë, ku i kërkohet që të kenë një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, e kanë vënë në presion të madh këtë të fundit.

Po ashtu Biserko ka kritikuar ministrin e mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, i cili një ditë më parë deklaroi se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut i kanë bërë keq Serbisë duke njohur pavarësinë e Kosovës.

“Deklarata ekstremiste e ministrit të mbrojtjes të Serbisë, është zëri i Moskës, por edhe pasojë e kritikave të Perëndimit ndaj Aleksandar Vuçiç-it, të cilat tani pothuajse janë të përditshme”.

Ajo shpjegoi se kritikat ndaj Shkupit dhe Podgoricës për shkak të njohjes së Kosovës nuk janë të reja dhe theksoi se kërcënimi I Vuçeviç se këto dy vende do të përfundojnë si Ukraina, tregon se situata në Ballkan ka mundësi të përshkallëzohet.

“Nëse gjithekësaj i shtojmë edhe ndërhyrjen e Beogradit në formimin e qeverisë në Malin e Zi, nuk do ta nënvlerësoja mundësinë që regjimi serb të bëjë diçka që mund të prishë qetësinë të Rajonit. Ky është qëllimi i politikës ruse, teksa sheh se koha po ikën për Perëndimin sepse vitin e ardhshëm janë zgjedhjet në ShBA dhe bashkë me Beogradin, do ta përdorin vakumin e krijuar për ta mbajtur rajonin nën tension” – deklaroi Biserko.

Reagimi i Kryetares se Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, vjen pasi një ditë më parë Vuçeviç në televizionin pro qeveritar ‘TV Pink’ kritikoi Podgoricën dhe Shkupin që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.

“Kanë bërë gabim që kanë promovuar Kosovën si shtet të pavarur. Ju keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është ‘sui generis’, se është një rast i veçantë, janë qesharake” – deklaroi Vucevic

 

Advertisement