Kosova
Afati po skadon! Nesër përballja vendimtare për Kuvendin e Kosovës
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish nesër në orën 11:00, në një përpjekje të re për konstituimin e legjislaturës, ndërsa afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi skadon në mesnatën e së premtes.
Negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës vijojnë të mbeten të bllokuara, kryesisht për çështjen e presidentit të ardhshëm të vendit. Takimi i fundit mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas deklaratave publike, Vetëvendosje mbështet zgjedhjen e një presidenti me konsensus. Në rast se kandidatura do të jetë partiake, kjo forcë politike argumenton se posti duhet t’i takojë asaj si fituese e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, LDK kërkon që e drejta për të propozuar presidentin t’i takojë kësaj partie, duke e cilësuar këtë si një element të balancës institucionale.
Deri më tani, drejtuesit e dy partive janë takuar katër herë, por bisedimet nuk kanë sjellë një zgjidhje për formimin e institucioneve.
Sipas legjislacionit në fuqi, Vetëvendosje disponon numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Megjithatë, zgjedhja e presidentit kërkon një kuorum prej 80 deputetësh, mbështetje që nuk mund të sigurohet vetëm nga partia fituese. Nëse procesi për zgjedhjen e presidentit dështon sipas procedurave kushtetuese, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.