LAJMI I FUNDIT
Situata në Kosovë, shumë shqetësuese, Stoltenberg: S’lejojmë të kthehet dhuna e viteve 1990
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për gazetën gjermane “Welt”, ka theksuar se “situata në Kosovë është shumë shqetësuese” pas ngjarjeve të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore, ndërsa ka garantuar se Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) do ta ruajë paqen në rajon.
“Situata në Kosovë është arsye për shqetësim të madh”, ka thënë Stoltenberg disa ditë para takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, si dhe ka nënvizuar se “trupat e NATO-s janë të gatshme të ruajnë paqen në Kosovë” dhe se “nuk do të lejojnë që të rikthehet dhuna e viteve 1990”.
Ish-kryeministri norvegjez ndër të tjera ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), sepse sipas tij, dialogu është “mënyra e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme për të gjitha komunitetet” që jetojnë në Kosovë.