Connect with us

Rajon

Samiti i Berlinit në Tiranë/ Analisti: Vuçiç mund të mungojë

Analisti Melazim Koci u shpreh se Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë është shumë i rëndësishëm.

Në një lidhje me skype, ai shtoi se presidenti serb Aleksandër Vuçiç mund të mos jetë i pranishëm në këtë takim.

“Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm edhe për faktin se është pranuar nga gjashtë vendet që bëjnë pjesë në Ballkanin Perëndimor. Mendoj që është një rast shumë i mirë që aty të debatohen çështjet e rëndësishme. Mua më befasoi fakti që u tha nga shtypi serb se Presidenti serb mund të mos marrë pjesë në Procesin e Berlinit. Nga shtypi serb, ai ka thënë se do të jetë në Pekin. Por unë shpresoj që procesi i Berlinit do të jetë pozitiv dhe do të bëjë një hap përpara për të gjitha vendet”, tha ai.

Gjithashtu ai u ndal edhe tek kërkesa e serbëve për të zhvilluar zgjedhje në veri, për të cilën tha se për këtë çështje nuk janë krijuar ende kushtet e duhura.

“Kërkesa e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve në veri është taktizim. Nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve aktualisht në veri sepse nuk ka siguri. Nuk është saktësuar ende se çfarë do të bëhet me Listën Serbe, mendoj se e ka bërë për çështje taktike, pasi kërkon të kthejë avantazhin diplomatik në rrafshin ndërkombëtar të Serbisë që ekzistonte deri më 24 shtator”, tha ndër të tjera.

Gjithashtu ai u shpreh se Kosova duhet të pranojë propozimet e aleatëve.

“Unë dua të besoj se udhëheqja e Kosovës do të dijë ta vlerësojë të drejtë situatën dhe e gjithë ajo çfarë duhet të bëjë, është të ketë një bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë. Nëse një gjë e tillë nuk bëhet do të ishte  e pafalshme. Por unë besoj se udhëheqja e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me aleatët tanë”, tha ai./abcnews

Advertisement