Connect with us

Kosova

Sulmi në veri të Kosovës/ Lajçak: Vuçiç të bashkëpunojë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka zbardhur detaje pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Ai bën me dije se temë e takimit ishte përparimi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve.

Gjithashtu ai ka theksuar se Beogradi dhe Prishtina duhet të punojnë në drejtim të dialogut dhe se liderët e të dy vendeve kanë përgjegjësi për qytetarët.

“Duam ta bëjmë të qartë se dënojmë fuqishëm sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator. Të gjitha autorët e sulmit duhet të vendosen para drejtësisë. Presim bashkëpunim të plotë të Serbisë në këtë drejtim”, ka thënë ndër të tjera Lajçak. 

Sulmi në Banjskë

Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë. Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues. Kosova ka fajësuar për këtë sulm – që e cilëson terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë. Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiçit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator. Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli. Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.

Advertisement