Kosova
‘BE, sanksione ndaj Serbisë dhe t’i heq masat ndaj Kosovës’
Njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pika e parë e dialogut, thotë asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk dhe ka kritikuar Bashkimin Evropian për atë se si e ka trajtuar dialogun deri më tani, duke theksuar se duhet të ndërrohen ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Woelk thotë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë dhe t’i heq masat ndaj Kosovës, porse theksoi se në këtë drejtim po ndikojnë negativisht disa shtete anëtare.
Asistentja parlamentare e akredituar e eurodeputetes Ulrike Muller, apelon gjithashtu palën kosovare që të lobojë më shumë për të drejtën e saj që të vihet në pah fakti se Kosova qëndron më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.
“Për të qenë e sinqertë, unë jam pak kritike se si BE e ka trajtuar dialogun deri më tani për disa arsye. Para së gjithash, sepse ndaj Kosovës ka sanksione të cilat janë ende në funksion dhe për mendimin tim kjo është krejtësisht e padrejtë. Së dyti, sepse edhe Serbia nuk ka filluar t’i zbatojë marrëveshjet dhe ajo nuk ka pasur pasoja për këtë, plus, për momentin po shohim që edhe Serbia ka pasur guximin të thotë përballë Von der Leyen se do nuk e njohin Kosovën dhe kjo duhet të jetë, për mendimin tim, pika e parë e dialogut” – potencoi Federica Woelk
E në mënyrë që të ndalet ndikimi i Serbisë në Ballkan e veçmas në Kosovë, ajo tha se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa.
Sipas saj, pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa kjo e fundit të mos e njoh Kosovën është diçka që duhet të jetësohet.
“Sanksionet duhet të vendosen ndaj Serbisë dhe të hiqen nga Kosova…”, deklaroi Woelk.
Duke folur edhe për agresionin e Serbisë në Banjskë, ku terroristët serbë sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin policor, Afrim Bunjaku, ajo u shpreh se eshte e tmarrshme dhe se ka pasur përgjigje konkrete nga BE-ja ndaj Serbisë.
Ndërkohë që Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Kosovën ku ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, është Bashkimi Evropian që ka mbetur vetëm me një paralajmërim për masa.
Lidhur me këtë, Woelk thotë se fatkeqësisht, politika e jashtme e BE-së është ende çështje e shteteve anëtare, kur dihet se ka të tilla që janë kundër sanksioneve ndaj Serbisë.
“Mendoj se para së gjithash duhet të ndryshojmë ndërmjetësuesit në dialog. Duhet të vendosim masa, nëse jo sanksione, si për shembull, një ide mund të jetë pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa ajo të mos e njohë Kosovën… Gjithçka është e lidhur me këtë koncept të normalizimit të marrëdhënieve, i cili është mjaft i çuditshëm, sepse për të normalizuar marrëdhëniet duhet të kemi dy partnerë që e njohin njëri-tjetrin dhe nëse njëri partner nuk e njeh tjetrin, për mua, nuk mund të ketë normalizim” – deklaroi Woelk
Sipas saj, BE-ja duhet të zgjohet përsa i përket Serbisë, dhe të kuptojë se Beogradi është në një rrugë shumë të rrezikshme.
Gjithsesi ajo është optimiste se Kosova do të anëtarësohet së shpejti ne Këshill të Evropës.