Connect with us

Bota

Ministri i Mbrojtjes përfshihet në një aksident, humb jetën një person

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Kroaci, ku i plagosur ka mbetur edhe ministri kroat i Mbrojtjes, Mario Banozic. Mediat e huaja raportojnë se automjeti në të cilin udhëtonte ministri është përplasur me një furgon dhe për pasojë drejtuesi i këtij të fundit ka humbur jetën.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, Marko Mili ministri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ai ka marrë lëndime në kokë, gjoks dhe këmbë

“Ministri ka plagë të rënda, sipas vlerësimeve të para është jashtë rrezikut për jetën”, tha ai.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:15 në dalje nga Vinkovci në drejtim të Zhupanjës.

“Sot në mëngjes në orën 06:15 është raportuar një aksident trafiku në rrugën shtetërore DC-55 në dalje nga Vinkovci në drejtim të Zhupanjës, në të cilin janë përfshirë një furgon dhe një veturë tjetër. Shoferi i furgonit ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër (funksionar shtetëror) për shkak të lëndimeve të marra është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Vinkovcit”, ka thënë policia.

Sipas asaj që kanë raportuar mediat kroate, dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur ministri ka parakaluar një kamion në rrugë dhe është përplasur kokë më kokë me mjetin tjetër që po vinte përpara.

Advertisement