Bota
Pas kritikave, ushtria izraelite tërhiqet nga spitali Al Shifa
Ushtria izraelite u tërhoq nga spitali Al-Shifa i Gazës të mërkurën pasdite dhe u vendos rreth kompleksit të madh spitalor, për të cilin Izraeli thotë se strehon një bazë të Hamasit, sipas një gazetari që punon me Agence France-Presse. Që nga mëngjesi i së mërkurës, ushtria izraelite po kryen një operacion të shënjestruar në objektin e infermierisë, ku përveç pacientëve dhe stafit, janë strehuar edhe mijëra persona të zhvendosur.
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj një kërkese të AFP për koment mbi informacionin. Gazetari tha se ushtarët morën në pyetje dhjetëra civilë, të cilët më pas u liruan. Me daljen nga spitali, ushtarët izraelitë lanë pas ilaçe, ushqim për fëmijë dhe shishe me ujë, sipas këtij burimi. Në mesditë të së mërkurës, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes izraelite tha se ky operacion kishte në shënjestër një zonë specifike të spitalit Al Shifa.
Spitali, në anë perëndimore të qytetit të Gazës, ka qenë në qendër të përleshjeve midis ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë prej disa ditësh. Lidhur me situatën në spitalin Al Shifa, Izraeli ka marrë një sërë kritikash nga faktorit ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara bënë me dije nuk janë dakord me operacionet e ushtrisë izraelite rreth spitalit Al Shifa në Gaza. Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby deklaroi se SHBA ka qenë e qartë për minimizimin e viktimave.
“Ne kemi qenë gjithmonë absolutisht të qartë me partnerët tanë izraelitë për rëndësinë e minimizimit të viktimave civile. Ne kemi qenë gjithashtu shumë të qartë me ta për faktin se ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm kur flasim për spitalet”, shtoi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA.