Connect with us

Kosova

Thaçi del nga burgu/ Emisari Richard Grenell: Kur Trump të bëhet president i ShBA

Ish i Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ditën kur Donald Trump do të bëhet përsëri president i ShBA-ve, do fillojë puna për të liruar Hashim Thaçin.

Këto komente, Grenell i bëri përmes një postimi në platformën X, teksa rikujtoi një takim që ka pasur me ish-presidentin Thaçi në Kosovë, në kohën kur ky i fundit ishte ende në krye të shtetit, pa u akuzuar nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

“Presidenti Thaçi tani është në një burg të Hagës sepse Jack Smith e urrente Donald Trumpin dhe donte të sigurohej që ai të mos kishte bërë ndonjë përparim në Ballkan” – ka shkruar Grenell, sipas të cilit, edhe “evropianët kanë lejuar që kjo padrejtësi të zgjatet”.

“Kur Donald Trump të bëhet sërish President, ne do të punojmë për ta bërë Thaçin të jetë i lirë. Ne kemi nevojë për drejtësi dhe jo për politikë” – ka theksuar ish emisari.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, tortura, vrasje dhe krime kundër njerëzimit, te cilat pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet se ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë mbajtur në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se nga qershori deri në fillim të korrikut të vitit 1999, pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Advertisement