Connect with us

Aktualitet

Personi që aksidentoi makinën e gjyqtares së Berishës, i “ndoqi” nga Rinasi në Selitë, ku ndodhi dhe përplasja

Shkaktari i aksidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u përfshi në një aksident rrugor makina e Gardës e cila eskortonte familjen e kryetares së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Irena Gjoka, është një polic në Policinë Rrugore që po drejtonte mjetin me targa zvicerane.

Raportohet se tashmë janë kërkuar kamerat për të parë çfarë rregullash ka shkelur shkaktari i aksidentit, mbasi njëri nga gardistët e Republikës ka thënë “që udhëtoi mbas nesh që në Rinas e deri në Selitë”, ku ndodhi aksidenti.

Në Rinas, Garda e Republikës, thuhet nga Policia Kufitare se priti djalin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila prej ditësh është nën ruajtje dhe mbrojtje.

Fillimisht Policia Rrugore e Tiranës, në mënyrë të paprecedentë, ka raportuar që nuk kishte anëtarë të familjes së gjyqtares në makinën që po eskortohej nga Garda e Republikës. Por kjo përpjekje për ta fshehur ngjarjen ka zgjatur vetëm 30 minuta, pasi Garda ka treguar itenerarin dhe kë po eskortonte.

Megjithëse mekanizmi është i dukshëm që është aksident automobilistik, është angazhuar edhe SHISH për informacione më të thelluara, bëjnë me dije burime shumë të sigurta të Anila Hoxhës.

Garda e Republikës bëri me dije, thotë Anila Hoxha, se i ka kërkuar tre herë personit të aksidentit që të distancohej dhe të mos hynte më eskortim, por shtetasi me detyrë polic rrugor nuk është bindur.

Në dëshminë e dhënë, polici është shprehur se teksa po drejtonte makinën humbi kontrollin për shkak të shiut, duke ia lënë fajin “rrugës”. (TCH)
…LAJMI I PARE

Makina që po shoqëronte eskortonte familjen e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Irena Gjoka u përfshi në një aksident në zonën e Selitës në Tiranë mbrëmjen e 22 dhjetorit.

ntv.al  mëson se makina e Gardës, me të cilën po lëvizte i biri i gjyqtares Irena Gjoka, është goditur nga mbrapa në lëvizje

Dëme në njerëz nuk ka dhe paraprakisht dyshohet si shkak shpejtësia e lagështia në rrugë që ka bërë drejtuesin e mjetit, i cili ishte me makinë policie, të humbë kontrollin.

Megjithatë për rastin ka nisur një hetim i plotë edhe për shkak të situatës dhe sulmeve ku gjendet aktualisht gjyqtarja, por deri tani nuk ka rezultuar të ketë qenë diçka e planifikuar. Hetimet do të vijojnë.

Më 26 dhjetor Gjyqtarja Gjoka caktoi seancën për shqyrtimin e kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për zëvendësuar masën e sigurisë ‘nga detyrim me paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’ ndaj ish- kryeministrit Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.

Kërkesa erdhi pasi Kuvendi autorizoi një ditë më parë SPAK për arrestin e Sali Berishës, pasi refuzoi disa herë të zbatonte detyrimin me paraqitje para oficeres gjyqësore.

Në dëshminë e dhënë sipas TCH, polici është shprehur se teksa po drejtonte makinën humbi kontrollin për shkak të shiut, duke ia lënë fajin “rrugës”. Paraprakisht, dyshohet se efektivi, që është prezantuar si polic nga Elbasani, po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara.

Prej ditësh Garda e Republikës kishte shtuar truprojat për ruajtjen e gjyqtares Irena Gjoka e cila vijon të përballet me sulme verbale të njëpasnjëshme dhe shantazhe publike të Berishës në deklaratat e tij live nëpër konferenca për median që transmetohen live apo dhe në takimet e tij politike me deputetët e  Rithemelimit apo militantë.

Si drejtuese e gjykatës së Posaçme, Gjoka kishte pasur deri katër truproja, ndërkohë që ky numër i ishte shtuar në gjashtë që pas vendimit të datës 20 tetor 2023 kur firmosi masën e arrestit ‘detyrim me paraqitje’ dhe ndalim të udhëtimit jashtë për vetë Berishën si dhe masën e arrestit me burg për Jamabër Malltezin. Të dy akuzohen për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv  Partizani që pasoi me ndërtimin e 19 kullave dhe një fitim prej 5.4 milionë eurosh dhëndrit të ish kryeministrit Berisha. Malltezi akuzohet edhe për pastrim parash.

Advertisement