Connect with us

Kronike

Lirohet nga burgu me kërkesë të SPAK bashkëpunëtori i Artan Tafanit

Është liruar nga burgu arkitekti Enio Meçaj, i arrestuar në muajin qershor të vitit të kaluar, si bashkëpunëtor i Artan Tafanit në grabitjen e rreth 30 mijë euro në zonën e Astirit në Tiranë.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me kërkesë të prokurorit të SPAK, Behar Dibra. Në një seancë të mbajtur me dyer të mbyllura, ky i fundit i tha Gjykatës se vepra për të cilën po hetohet Mecaj, ajo e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës, nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, e po ashtu edhe i dyshuari nuk është i rrezikshëm sipas prokurorit.

Enio Meçaj dyshohej se kishte bashkëpunuar me Tafanin, pas grabitjes së pikës së këmbimit valutor, pasi u identifikua nga Policia si një person që i kishte lënë në përdorim garazhin, ku më pas grabitësi kishte fshehur veshjet dhe biçikletën që përdori gjatë ngjarjes.

Ai ka pretenduar se nuk e njeh personin që ka në posedim garazhin e automjeteve dhe sipas hetimeve, me veprimet dhe mosveprimet e tij Enio Meçaj ka penguar policinë për zbulimin e së vërtetës.

Grabitësi Tafani, rezultoi më tej nga hetimet se nuk ishte një shkelës ligji i rëndomtë, por pjesë e një grupi kriminal, që ka rrëfyer për drejtësinë disa krime, ku ka marrë pjesë ai vetë apo shokët e tij. Artan (Marjus) Tafani aktualisht mbahet në programin e dëshmitarëve të drejtësisë. Në kapitujt e krimeve që ka rrëfyer Artan apo Marius Tafani përfshin edhe 12 shtetas të tjerë, me role konkrete në 6 vrasje, tentativa krimesh apo shkatërrim prone me lëndë plasëse.

Më i njohuri ndër këta emra është Laert Haxhia, që SPAK e konsideron kreun e një grupi kriminal dhe që prej dy vitesh po gjykohet në të njëjtën Gjykatë të Posaçme për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit.

Enio Meçaj është njeri i afërt i Laert Haxhiut dhe ditën e arrestimit ai ka qenë në zonën e “Astirit” në Tiranë. Emri i Meçaj del edhe tek dëshmia e Artan Tafanit, bashkëpunëtorit të drejtësisë, i cili e tregon si pjesëmarrës në grabitje.

Advertisement