Rajon
Vjedhje si në Serbi, nuk kam parë askund/ Viola von Cramon çudit me fakte
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, gjatë një adresimi para eurodeputetëve për zgjedhjet e 17 dhjetorit të vitit të kaluar në Serbi, deklaroi se përgjatë 20 viteve si vëzhguese ndërkombëtare e proceseve elektorale, posaçërisht në vendet në tranzicion, asnjëherë nuk ka parë vjedhje masive të votave sikurse në Serbi.
Cramon, anëtare e misionit vëzhgues të Parlamentit Europian, denoncoi edhe njëherë parregullsitë gjatë procesit të votimit, posaçërish votuesit ilegalë të ardhur në mënyrë të organizuar nga Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnjë-Hercegovinë – presionin e raportuar ndaj votuesve, gjuhën e urrejtjes dhe vjedhjen masive të votave nga Partia Progresive Serbe në pushtet.
“Kam parë shumë zgjedhje – nga Kazakistani në Kosovë, nga Ukraina në Irak, megjithatë, që kur u bëra vëzhguese e zgjedhjeve 20 vjet më parë, nuk kam parë kurrë diçka të tillë: migrim masiv i votuesve të SNS-së, transportim të votuesve me autobusë nga Republika Sërpska, presion ndaj votuesve… të jemi të qartë: këto zgjedhje janë të manipuluara dhe të vjedhura” – deklaroi Cramon.
Në Serbi ka nisur një valë e protestave të opozitës nga vera e vitit të kaluar, ndërsa kulmuan pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, për shkak të parregullsive serioze e rasteve të frikësimit, përfshirë edhe blerjen e votave nga SNS-ja, megjithëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mohuar akuzat për vjedhje gjatë procesit elektoral, duke anashkalur thirrjet për hetim.