Connect with us

Kronike

Zbardhet dëshmia e plotë e Naim Murselit

Naim Murseli e dinte se Granit Plava ishte personi që shtiu me armë zjarri për të vrarë bashkëshorten e tij Liridona Ademajn, mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit të shkuar. Këtë fakt, e ka pohuar vetë ai në Prokurori, por ka refuzuar të ketë porositur ai vrasjen e bashkëshortes, pavarësisht se është takuar me të ditën e vrasjes. Sipas mediave kosovare, kjo është dëshmia e Murselit e dhënë në 1 dhjetor para hetuesve.

“Në ditën kritike unë isha në Gjakovë për punë personale dhe rastësisht jam takuar me Granitin ku Kushtrimi i ka treguar se ku do te takohemi. Ne jemi takuar në Kramovik në rrugë dhe ai ishte kthyer tek vendi i punës dhe ai ka parkuar automjetin e tij ne atë lokacion te pompa Eko ku punonte dhe ka vazhduar me mua me veturën time Land Rover me targat 07-669-CM ngjyrë e zezë, ku së bashku jemi nisur në drejtim të restorant Liqeni i Dukagjinit, por gjatë rrugës goma e veturës m’u dëmtua dhe vazhduam për ta gjetur një gomister për ta rregulluar gomën, ku në afërsi të Dujakës hasëm në një autolarje dhe mekanik i fshatit i cili na ndihmoi për ta rregulluar gomën.

Personi i cili na ndihmoi e pyeti Granit Plava nëse është i interesuar për armë dhe ai i thotë ‘po vetëm dua ta shoh fillimisht’. Dhe i pëlqeu, por nuk kishte para me vete dhe m’i kërkoi mua dhe unë ia dhashë 250 euro aq sa edhe ka kushtuar arma, nga aty pasi u rregullua goma më telefonon bashkëshortja dhe më tregon se ka mbërrit në Prishtinë pa dijeninë time.

Unë nisem në drejtim të Prishtinës së bashku me Granitin, por gjatë rrugës Graniti më kërkoi ta dërgoja në fshatin Kralan ku kishte për të marrë një veturë. Dhe, ndaras kemi vazhduar për në Prishtinë, ku ai me ka ndjekur mbrapa deri në afërsi të shtëpisë time, ku jemi barazuar me vetura dhe më ka thënë se unë tash e di çka bëj”, ka rrëfyer Naim Murseli.

Duke folur për momentin e vrasjes, ai ka deklaruar se nuk besonte se “në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje”.

“Në afërsi të shtëpisë, Graniti doli i maskuar në rrugë me armë të drejtuar drejt nesh. Edhe pse isha ne dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje.

I shokuar kam ndaluar, i kam çuar duart lart dhe i kam thënë bashkëshortes jepja krejt çfarë të kërkon dhe në një moment unë kam hapur derën time, pastaj derën e fëmijëve duke i thënë edhe bashkëshortes të largohet nga vetura. Në momentin që jemi larguar disa metra, kam dëgjuar një krismë por pa e parë se çfarë ndodhi”, ka thënë Murseli.

Ai ka pranuar se kohët e fundit kishte një problem familjar.

“Një problem familjar ku kanë dal në shesh disa SMS-a me një të afërt. Këta SMS-a ia kanë dërguar bashkëshortes sime dhe kjo e ka rënduar tej mase lidhjen tonë martesore.

Pas kësaj ngjarje, presioni dhe kontrolli ndaj meje është shtuar ku unë kam kërkuar ndarjen, mirëpo kategorikisht bashkëshortja nuk ka pranuar dhe në një ndejë në Malmo të Suedisë, bashkëshortja më ishte hakmarrë duke më tradhtuar me një person të huaj aty.

Këtë ngjarje unë e kam parë me sytë e mi, mirëpo nuk ia kam shprehur në asnjë moment. Kjo ngjarje sigurisht që më ka rënduar dhe ndikuar në raportin tonë. Unë si bashkëshort të gjitha kushtet ia kam plotësuar dhe kam dashur që ajo të jetë e lumtur”, ka thënë Naim Murseli para hetuesve.

Advertisement