Connect with us

Kosova

Kaseta e fajeve të Kosovës/ Bytyçi akuzon emisarin Lajçak

Profesor Doktor Enver Bytyçi, duke komentuar vizitën e fundit të emisarit europian për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak në Beograd dhe Prishtinë, tha se “Ecejaket e tij në Kosovë dhe në Serbi, janë rutinë e punës si emisar”

“Sigurisht që udhëtimet e tij kushtëzohen ose diktohen nga bisedimet që bëjnë dy përfaqësueshit në dialog të Kosovës dhe të Serbisë, në të cilat duhen rakordime në nivelin më të lartë. Shkurt Miroslav Lajçak ishte në Beograd dhe Kosovë për të marrë mendimin e Aleksandër Vuçic dhe Albin Kurtit lidhur me dialogun e zhvilluar prej disa javësh në Bruksel midis Bislimit dhe kreut të delegacionit serb. Me siguri që të deleguarit nuk kanë marrë përsipër të mbajnë qëndrim lidhur me disa çështje të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve” –  deklaroi Bytyçi teksa dhe përmendi “ankesat” e presidentit serb për Kosovën.

“Në Beograd presidenti i Serbisë tha se kërkon të formohen asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe të mos krijohen “provokime” nga ana e qeverisë së Kosovës. D.m.th se Lajçak dhe Vuçiç kanë diskutuar në këtë frymë. Por ne nuk e dimë nëse ata të dy janë në të njëjtën valë mirëkuptimi. Nuk e dimë, nëse Lajçak e Vuçiç mendojnë së bashku se “Albin Kurti provokon”, dhe se kryeministri i Kosovës “është pengesë” për asociacionin. Me siguri që Vuçiç i është ankuar Lajçak-ut për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, siç edhe e shkruan kushtetuta e vendit. Nuk e dimë, sa kryenegociatori europian është karikuar në Beograd me kasetën e “fajeve” të Kosovës në këtë dialog”, theksoi analisti politik.

Më tej, profesori vlerësoi se Lajçak në Kosovë erdhi i ndikuar nga Beogradi, dhe udhëzimet që ka marrë të Vuçiçi, i prezantoi si “rekomandime” të Brukselit.

Advertisement