Aktualitet
Shqipëria “e pushtuar” nga zjarri! Flakët dalin jashtë kontrollit, alarm në Krujë dhe Lurë
Dhjetëra forca zjarrfikëse, të Emergjencave Civile dhe të Forcave të Armatosura vijojnë ndërhyrjet në disa zona të vendit, ku zjarret kanë mbetur aktive. Temperaturat e larta dhe erërat kanë vështirësuar punën në terren dhe, në disa raste, kanë favorizuar riaktivizimin e vatrave.
Situata paraqitet më e ndërlikuar në disa zona të Krujës. Sipas kryebashkiakut Artur Bushi, gjatë 24 orëve të fundit janë riaktivizuar vatra në Abaze, Zidoll, Grykën e Vajës dhe Boje. Në Abaze, flakët kanë rrezikuar zonat e banuara dhe është ndërmarrë edhe evakuimi i banorëve.
Në Dibër, shqetësim paraqet zjarri në vendin e quajtur Maja e Ruveshit, mbi fshatin Borie Lurë. Sipas raportimeve, zjarri është përhapur gjatë natës dhe autoritetet po monitorojnë situatën për të shmangur afrimin e flakëve pranë banesave.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Mbrojtjes, mëngjesin e sotëm në vend ishin aktive 12 vatra zjarri. Disa prej tyre janë izoluar, ndërsa në zona të tjera ndërhyrjet vijojnë.
Vatrat në Drenie të Patosit, Lofkënd dhe Ngraçije janë izoluar pas ndërhyrjeve nga toka dhe ajri. Ndërkohë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Gjinoqare, si dhe për izolimin e vatrave në Perlat-Epër dhe Trojez të Mirditës. Në këto të fundit zjarri raportohet me intensitet të ulët dhe, sipas autoriteteve, aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.
Forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, punonjësit e shërbimeve pyjore dhe ekipet e tjera të emergjencave vijojnë ndërhyrjet në terren, ndërsa në disa zona po përdoren edhe mjete ajrore. Qëllimi i operacioneve është izolimi i vatrave dhe parandalimi i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.