Kronike
Vuri në rrezik familjen me 4 anëtarë/ Makina me shpejtësi skëterrë i ndërpreu rrugën mjetit
Një aksident rrugor i ndodhur më 8 gusht, në hyrje të Shkodrës, është bërë objekt denoncimi nga Gentjan Bajraku, i cili udhëtonte së bashku me familjen e tij në momentin e ngjarjes.
Sipas Bajrakut, një automjet tjetër ka dalë në rrugë me shpejtësi dhe ka kryer një manovër që e ka detyruar atë të devijojë, duke përfunduar me automjetin në bordurën anësore të rrugës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:10.
Bajraku thotë se ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat, sipas tij, dokumentojnë lëvizjen e automjetit tjetër para aksidentit. Ai pretendon se drejtuesi i këtij automjeti nuk është ndaluar dhe se ndaj tij nuk është marrë masë administrative.
Sipas deklarimit të tij, efektivë të policisë kanë qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe kanë mbërritur pas aksidentit. Bajraku pretendon se në vendngjarje ka qenë edhe drejtuesi i Policisë Rrugore, Ermal Zeneli, ndërsa shprehet se dokumentacioni lidhur me aksidentin nuk është plotësuar sipas tij.
I aksidentuari, i cili prej më shumë se 20 vitesh jeton në Gjermani, thotë se ende janë të dukshme dëmet në bordurën ku përfundoi automjeti. Ai shprehet se familja e tij ka shpëtuar pa pasoja të rënda dhe se një pjesë metalike pranë rrugës mund të kishte shkaktuar pasoja më serioze nëse do të godiste automjetin.
Bajraku shprehet i pakënaqur me mënyrën se si është trajtuar ngjarja dhe thotë se do të ndjekë procedurat për të kërkuar sqarimin e përgjegjësive.
Pretendimet e tij lidhur me veprimet e policisë dhe rrethanat e aksidentit mbeten për t’u verifikuar nga institucionet përkatëse, ndërsa pamjet filmike dhe dokumentacioni i ngjarjes mund të shërbejnë për përcaktimin e dinamikës së aksidentit.