Connect with us

Kosova

Deputeti gjerman, Knut Abraham, thotë se Kosova ka të drejtë për valutën euro

Deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham, tha se Kosova ka vepruar drejtë me vendimin e marrë që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro brenda territorit të vendit. Ai edhe ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për retorikën e tij nxitëse ndaj Kosovës.

“Nga Berlini po e përcjell me vëmendje vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, që përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë Kosovën. Ky është një vendim i drejtë nga institucionet e Kosovës, e që mbështetet në kushtetutën e vendit” – deklaroi deputeti gjerman, i cili gjithashtu ka disa rekomandime për këtë çështje.

“Pika kryesore është që vendimi i BQK-së thjesht është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës së Pavarur. Kjo është pika e parë dhe më e rëndësishme për të pasur parasysh. Kjo do të thotë që nuk është vetëm legale, por edhe ligjore për shtetin e Kosovës, të përcaktojë cilat valuta përdoren në territorin e saj dhe kjo është çfarë po ndodh tani. Por, mendoj që ka shumë gjëra në lidhje me shqiptimin, dhe rekomandimi im do të ishte mos të përdoret fjalia ‘ndalesa e dinarit’, por zëvendësimi me valutën që parashihet për shtetin tuaj”, theksoi Knut Abraham.

Deputeti i Bundestagut gjerman, u shpreh se qytetarët në veri nuk janë të informuar mirë për këtë vendim, prandaj ka pasur edhe reagime nga ata. Sipas tij, institucionet e Kosovës e kanë për detyrë që t’i adresojnë mirë këto çështje.

“Kapni për dore qytetarët, kryesisht në veri, dhe u tregoni hapat që duhet të ndërmerren, edhe më qartë u tregoni çfarë nuk nënkuptohet me këtë vendim. Për shembull ka thashetheme që thonë se ata s’do të mund të marrin para nga Serbia dhe krejt kjo duhet të adresohet në një mënyrë shumë të kuptueshme.

Jam i bindur që popullsia në veri do të adaptohet me këtë. Pika e rëndësishme është periudha e tranzicionit. Kjo ka nevojë për komunikim më të mire me njerezit. Përsëri, ky vendim nuk nënkupton ndalimin e dinarit, gjithmonë mund të këmbejnë dinarët me euro, që është valuta e Kosovës. Pra, nuk ndalohet të posedosh dinarë, por në përdorim zyrtar do të jetë vetëm euro. Paskësaj jam i sigurt që s’do të ketë tensione” – potencoi deputeti I Bundestagut

Knut Abraham gjithashtu, i ka quajtur gënjeshtra pretendimet e presidentit serb, Aleksander Vuçic, i cili akuzon kryeministrin Kurti se ka për qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova.

Advertisement