Connect with us

Kosova

Arrestim të paligjshëm? Çfarë fshihet pas kërkesës së Rusisë për arrestimin e policëve nga Kosova

Katër qytetarë nga Kosova, së paku tre prej tyre zyrtarë policorë, janë në kërkim nga Rusia.

Radio Evropa e Lirë siguroi dokumente që dëshmojnë se Rusia i konsideron tre zyrtarët policorë si të dyshuar për veprat “arrestim i paligjshëm” dhe “rrëmbim”, të cilat në Rusi janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Kërkesa për arrestimin e tyre i është dërguar edhe Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL.

Rusia pretendon se këta policë ishin të përfshirë në “arrestimin dhe keqtrajtimin” e Mikhail Krasnoshchenkovit në vitin 2019.

 

 

Krasnoshchenkov, me shtetësi ruse, ishte i punësuar atëkohë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

Ai ishte udhëheqës i ekipit në Zyrën e UNMIK-ut në Zubin Potok – komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kush janë policët që kërkohen?

Sipas raportimeve të mediave kosovare në ditët e para të muajit mars, në mesin e personave të kërkuar nga Rusia janë dy policë të njësive elitare të Policisë së Kosovës: Besart Ahmeti dhe Alban Jetullahu.

Por, Radio Evropa e Lirë siguroi qasje në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, të përpiluar nga Ministria e Brendshme e Rusisë, ku figuron edhe emri i Faruk Gashit, për të cilin REL-i kuptoi se është, po ashtu, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Në listë gjendet edhe shtetasi tjetër kosovar B.H. – emri i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it. Megjithatë, REL-i nuk arriti të konfirmojë nëse ai është pjesëtar i Policisë së Kosovës, ose nëse ka kërkesë zyrtare në INTERPOL për arrestimin e tij.

Në listën e shtetit rus, ashtu si edhe në dokumentet e INTERPOL-it, ata përshkruhen si shtetas të Serbisë, meqë Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Bazuar në raportin e INTERPOL-it për rastin e Besart Ahmetit, në të cilin REL-i kishte qasje, Krasnoshchenkov është urdhëruar përmes telefonit nga eprori i tij – më 28 maj, 2019, rreth orës 08:30 – që të shkonte në pjesën jugore të Mitrovicës për të monitoruar situatën e krijuar pas informacioneve se “kishin ardhur njerëz të armatosur” dhe pas humbjes së kontakteve me një punonjës tjetër të UNMIK-ut.

“Rrugës nga Zubin Potoku për në Mitrovicë, makina që ka vozitur Krasnoshchenkov, është sulmuar nga njerëzit, përfshirë Ahmetin, edhe pse Krasnoshchenkov ka treguar dokumentin identifikues. Ata e kanë nxjerrë Krasnoshchenkovin me dhunë nga makina, e kanë rrahur dhunshëm, e kanë lidhur dhe e kanë çuar në një ndërtesë në Mitrovicë, ku e kanë mbajtur kundër vullnetit të tij deri në orën 14:00, kur UNMIK-u ka protestuar kundër kidnapimit të zyrtarit të tij”, thuhet në raportin e INTERPOL-it.

REL-i u përpoq të fliste me këta pjesëtarë të policisë, por ata thanë se leja për të folur duhet të merret nga organet e policisë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, policia nuk dha leje.

Ngjashëm as Qeveria e Kosovës nuk komentoi për këtë çështje, ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një prononcim për gazetarët më 4 mars tha:

“E dimë, kemi informata zyrtare për këtë çështje. Nuk është brengë as e imja, as e Besartit [Ahmeti]”.

Çfarë ndodhi më 2019 dhe kush është Mikhail Krasnoshchenkov?

Mikhail Krasnoshchenkov u ndalua nga Policia e Kosovës, në rrugën nga Zubin Potoku në drejtim të Mitrovicës së Veriut, gjatë një aksioni kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Aksioni u zhvillua më 28 maj të vitit 2019.

Krasnoshchenkov më pas u lirua, ngase kishte imunitet diplomatik si pjesëtar i UNMIK-ut, por Qeveria e Kosovës e shpalli person të padëshiruar, përkatësisht “non-grata”, dhe e dëboi nga Kosova.

“Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit”, tha atëkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Më vonë, Krasnoshchenkov mori trajtim mjekësor në Beograd, pas pretendimeve se ishte maltretuar nga pjesëtarë të policisë së Kosovës.

Në kohën e këtij incidenti, UNMIK-u reagoi duke kërkuar lirimin e tij.

UNMIK-u, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka pasur ndonjë hetim apo konkluzion të vetin në lidhje me arrestimin e Krasnoshchenkovit.

Si vepron UNMIK-u?

Misioni i UNMIK-ut vepron sipas Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, e cila ishte një kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, më 1999.

Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, UNMIK-u i barti të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.

Radio Evropa e Lirë provoi të binte në kontakt edhe me vetë Krasnoshchenkovin në lidhje me këtë çështje, por pa sukses.

Çfarë do thotë kërkesa për arrestim përmes INTERPOL-it?
Shtetet anëtare në INTERPOL mund të dërgojnë kërkesa për arrestimin e shtetasve të huaj të dyshuar për vepra të ndryshme.

Kjo kërkesë quhet “red notice” apo njoftim i kuq.

Ky njoftim i alarmon policitë e vendeve tjera për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë, qoftë edhe pas shumë vitesh.

Njoftimi i kuq publikohet nga INTERPOL-i me kërkesë të një vendi anëtar.

INTERPOL-i, në faqen e tij zyrtare, shpjegon se “vendet anëtare i zbatojnë ligjet e tyre për të vendosur nëse do të arrestojnë një person”.

Javed Ali, ligjërues i çështjeve të sigurisë në Universitetin e Miçiganit, thotë për Radion Evropa e Lirë se dikush që ka njoftim të kuq në INTERPOL, ka rrezik të arrestohet dhe ekstradohet.

“Nëse udhëtoni në një vend që respekton sistemin e INTERPOL-it apo është anëtar i INTERPOL-it, teorikisht mund të ekstradoheni te shteti që i ka ngritur akuzat. Nuk është automatike”, thotë ai.

Ali beson se pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, më 2022, Rusia “po tenton ta politizojë procesin e njoftimit të kuq”.

Megjithatë, ai mendon se në situatën aktuale “gjasat që të kërkuarit të arrestohen dhe të dërgohen në Rusi, janë shumë të ulëta”.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS, në shtator të vitit 2023 ishin më shumë se 10.000 persona në listën e të kërkuarve nga INTERPOL-i, me kërkesë të Rusisë. Megjithatë, bazuar në të njëjtin raportim, vendet e Bashkimit Evropian refuzuan të ekstradojnë rreth 100 veta më 2022 dhe 2023.

Vitin e kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme e Rusisë njoftoi se ka kufizuar autoritetin e INTERPOL-it. Vendimi, në fakt, nisi të zbatohej në mars të atij viti, por u bë publik në gusht.

Në bazë të tij, INTERPOL-it i lejohet të kryejë operacione në Rusi vetëm kur ato miratohen nga kjo ministri.

Ligjvënësit rusë i cilësuan veprimet e kësaj organizate si “jomiqësore” dhe ngritën shqetësime për “spiunazh”, përmes qasjes në bazat e të dhënave ruse.

INTERPOL-i, që operon në 195 vende të botës, fokusohet në trajtimin e krimit global, terrorizmit, krimit të organizuar dhe atij financiar.

Rusia iu bashkua atij në vitin 1990./ REL

Kosova

Gëlltiti qesen me kokainë për ta fshehur nga policia, arrestohen dy persona

Dy persona kanë rënë në pranga nga Policia në Kosovë. Ka qenë një ndalesë nga efektivët që ka zbuluar se drejtuesi i metit i cili ishte nën shoqërinë e një personi tjetër ka gëlltitur qesen, e cila pas hetimeve rezultoi se ishte me lëndë narkotike. Ndërkohë që policia zbuloi se ishte pikërisht pasagjeri ne mjetin që ndaluan për kontroll personi që i kishte siguruar lëndën narkotike shokut të tij. Teksa hetimet janë në vijim, dy të rinjtë do të përballen me akuzat.

Njoftimi i Policisë:

“Personat e dyshuar E.XH., (viti i lindjes 1982) dhe A.I., (viti i lindjes 1979) janë ndaluar, por gjatë ndalimit është vërejtur se i dyshuari i dytë me qëllim të fshehjes së dëshmive ka gëlltitur një qese të vogël me lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilën paraprakisht e kishte blerë nga i dyshuari i parë”, njofton policia, transmeton Express.

Continue Reading

Kosova

Çfarë do të ndodhë me paratë serbe të sekuestruara në veri?

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar e Kosovës nuk ka ende vendim gjykate për të administruar me miliona eurot që policia e Kosovës tha se i konfiskoi në disa institucione financiare në veri të vendit, më 20 maj.

“Pa e marrë një vendim nga gjykata, ne nuk mund të bëjmë asgjë. Ne veprojmë sipas vendimit të gjykatës kompetente”, thotë shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë zëvendësi i drejtorit të përgjithshëm të kësaj agjencie, Enver Krasniqi.

Për këtë temë, REL-i kontaktoi edhe Ministrinë e Drejtësisë, në kuadër të së cilës funksionon Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, por ajo nuk u përgjigj.

Tash për tash, nuk është e qartë se në kompetencë të cilës gjykatë është çështja.

Një ditë më herët, policia e Kosovës mbylli gjashtë objekte të institucioneve financiare të Serbisë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë aksionit, ajo tha se konfiskoi në total mbi 2.2 milionë euro – në mesin e tyre edhe dinarë, franga dhe dollarë amerikanë e australianë.

Aksioni u zhvillua pak ditë pasi Banka Qendrore e Kosovës bëri të ditur se periudha transitore për zbatimin e rregullores së saj, që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ka skaduar.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Policisë së Kosovës me pyetjet se ku janë paratë e marra nga institucionet financiare serbe në veri dhe a janë konfiskuar apo sekuestruar ato, por nuk mori përgjigje. Ajo sugjeroi vetëm që të merret për referencë komunikata e saj e datës 20 maj.

Konfiskimi nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë me urdhër të prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent në pajtim me ligjin në fuqi, kurse sekuestrimi marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Çka tash?

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me sekuestrim dhe jo konfiskim, që do të thotë ngrirje e përkohshme e këtyre mjeteve, derisa të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore”, thotë për Radion Evropa e Lirë Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Sipas tij, nëse vërtetohet se ato mjete kanë rrjedhur nga dukuri të kundërligjshme, atëherë “mund të merret vendimi për konfiskimin e tyre”, që nënkupton “marrjen përfundimtare të parave në pronësi të Republikës së Kosovës”.

Shala thotë se faza hetimore – derisa të merret vendimi përfundimtar i gjykatës kompetente – mund të zgjasë deri në tre vjet.

Në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës thuhet, po ashtu, se pasuria e sekuestruar mbahet në mënyrë adekuate nga policia, deri në nxjerrjen e urdhrit të gjykatës për ndalim.

Kritika Kosovës

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se është i zhgënjyer me aksionin e policisë së Kosovës në institucionet financiare serbe në veri dhe, sipas tij, ai i përshkallëzon tensionet në zonën e banuar me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian reagoi ngjashëm.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, tha zëdhënësi Peter Stano.

Në Serbi, ndërkaq, kryeministri Millosh Vuçeviq e cilësoi aksionin si “akt barbar” që, siç tha, “kërcënon drejtpërdrejt mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.

Ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Jonuz Salihu, pajtohet se çështja merr konotacion politik dhe dyshon se mund të zgjidhet përmes bazës ligjore të Kosovës.

“Unë besoj se sekuestrimi i këtyre parave duhet të jetë objekt i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Javën e kaluar, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë përfunduan pa sukses rundin e shtatë të bisedimeve për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Rregullorja e BQK-së që e ndalon dinarin, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt, ndërsa më 13 maj, BQK-ja tha se periudha transitore për zbatimin e saj, ka përfunduar.

Rregullorja i rriti fërkimet mes Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë, të cilët kërkuan pezullimin e saj derisa komuniteti serb, i cili prej vitesh pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia, të përshtatet me praktikën e re.

Autoritetet e Kosovës, megjithatë, nuk u zmbrapsën.

Policia tha se qëllim i aksionit të saj në veri, më 20 maj, ishte “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë”.

Nga 1 shkurti, edhe Dogana e Kosovës njoftoi disa herë se ka ndaluar hyrjen e dinarëve nga Serbia në Kosovë, me arsyetimin se nuk e ka miratimin e BQK-së.

Së paku deri më 17 maj, sipas raportimeve të REL-it nga terreni, pagesat në mjediset me shumicë serbe në Kosovë kanë vazhduar të bëhen edhe në euro, edhe në dinarë. /REL/

Continue Reading

Kosova

SHBA e shqetësuar me trajtimin e pakicave në Kosovë, thirrje liderëve politikë

Zëvendësndihmësja e sekretarit amerikan të Shtetit në Byronë për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick, tha se është e rëndësishme që Kosova të bashkëpunojë me partnerët e saj për të forcuar kandidaturën për anëtarësim në të gjitha institucionet euroatlantike, ashtu si edhe në Këshillin e Evropës.

Chulick i bëri komentet të martën, në një takim me një grup gazetarësh në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Ajo përsëriti se vizion i SHBA-së për Kosovën është që ajo të jetë pjesë e institucioneve euroatlantike.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i dëgjojë këshillat e partnerëve të saj më të afërt, në mënyrë që të garantojë një rezultat pozitiv kur del në një votim”, tha Chulick.
Gjatë vizitës në Kosovë, Chulick u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin Albin Kurti

 

 

Ajo tha se u ka shprehur atyre disa shqetësime të partnerëve evropianë në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit serb.

“Kosova duhet të vazhdojë të punojë në këto çështje, t’i adresojë ato dhe të ecë sërish përpara”, tha zyrtarja amerikane.

“Duke i ditur edhe përgjegjësitë që i ka Banka Qendrore e Kosovës, ne vazhdimisht i kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën e zbatimit [të rregullores]. Nuk kemi ndjerë se ajo e ka marrë në konsideratë mënyrën se si do t’i ndikojë komunitetet, sidomos komunitetin serb. Ndaj, jemi duke e vëzhguar situatën dhe jemi të shqetësuar”, shtoi Chulick.

Kosova është nën presion nga partnerët ndëkombëtarë për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe për të pezulluar rregulloren e BQK-së që e bën euron valutë të vetme për pagesa me para të gatshme.

Ndërkombëtarët kërkojnë më shumë kohë derisa komuniteti serb të përshtatet me praktikën e re, pasi ai, prej vitesh, ka pranuar pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia.

“Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet më shumë me komunitetet”
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i pranishëm gjithashtu në takimin me gazetarët, shprehu zhgënjimin e tij me aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, gjatë të cilit u mbyllën disa institucione financiare serbe.

Hovenier tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.

Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Chulick, në anën tjetër, shtoi se një prej arsyeve përse gjendet në Kosovë, është për të treguar mbështetjen e SHBA-së për një Kosovë demokratike, të begatë dhe multietnike.

Ajo theksoi se është e rëndësishme që Qeveria të angazhohet në mënyrë më aktive me pjesëtarët e komuniteteve pakicë dhe t’i përfshijë ata në procesin e politikëbërjes.

“Kosova është shtëpi e shumë serbëve etnikë dhe ata meritojnë t’i mbajnë familjet dhe bizneset e tyre këtu”, tha Chulick.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të punojë për të gjithë qytetarët e Kosovës, “pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo dallimet e tyre”.

Chulick tha, po ashtu, se SHBA-së i vjen keq që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri, më 21 prill.

“Ne do të donim që ata të përfitonin nga mjetet demokratike që i kanë në dispozicion”, tha ajo.

Chulick theksoi se SHBA-ja mbetet e shqetësuar nga trajtimi i pakicave në Kosovë dhe tha se do të vazhdojë të punojë në këtë çështje.

Sipas saj, një nga përfitimet e të qenët pjesë e Këshillit të Evropës do të ishte “respekti më i madh për qytetarët e pakicave dhe gjithashtu qasja në procese ndërkombëtare, përmes të cilave Kosova mund të adresojë çështje të tilla si: përfshirja e pakicave dhe pjesëmarrja e plotë në qeverinë dhe demokracinë e vendit të tyre – për shembull përmes Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

Javën e kaluar, Kosova mbeti jashtë agjendës së Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës – ku do të duhej të merrej vendimi përfundimtar për pranimin e saj – për faktin se nuk ndërmori hapa për ta çuar përpara çështjen e Asociacionit.

“Oportunistët politikë mund të përpiqen t’i shfrytëzojnë rrethanat ndërkombëtare në dobi të tyre”
E pyetur nëse druan se udhëheqësit nacionalistë në Ballkan do ta shfrytëzojnë vakumin politik ndërkombëtar, që rezulton nga zgjedhjet në BE-së dhe në SHBA, për ta komplikuar më tej situatën në terren, zyrtarja e Departamentit amerikan të Shtetit tha se “oportunistët politikë mund të përpiqen t’i shfrytëzojnë rrethanat ndërkombëtare në dobi të tyre në çdo kohë, por ne jemi vigjilentë ndaj atyre përpjekjeve, jo vetëm këtu në Kosovë, por në mbarë botën”.

“Është e rëndësishme për ne që të theksojmë se – janë interesa të sigurisë së SHBA-së dhe Evropës – ne mund të varemi nga partnerët tanë dhe ata mund të varen nga ne, pa marrë parasysh partinë politike apo lëvizjen. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më të begatë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në mbështetje të këtij qëllimi”, përfundoi Chulick./REL

Continue Reading

Kosova

Lojëra lufte, stërvitja FSK-FA, si përgjigje “diplomatike” ndaj Serbisë

Brenda një harku kohor prej vetëm njëzet ditësh, artileritë u vendosën në dy anët e kundërta të Kosovës. Më 19 prill, në terrenin e përkohshëm ushtarak “Pester”, ushtria serbe gjëmonte me artileri të rëndë dhe avionë luftarakë. Më pak se tre javë më vonë, më 10 maj, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcat e Armatosura Shqiptare (FA) “u përgjigjën” me një stërvitje të përbashkët në bazën e Bizës në Shqipëri, duke përfshirë veprime të kombinuara të zjarrit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë nga armët e artilerisë dhe mjete luftarake. Analistët në Tiranë dhe Beograd i thanë Kosovo Online se çdo ushtri në botë duhet të stërvitet. Megjithatë, ata nuk kanë dyshim se secila prej këtyre ushtrimeve ka shërbyer edhe si mesazh diplomatik për palën tjetër.

Stërvitja ushtarake shumëditore  e cila përfshinte disa mijëra trupa me rreth 500 sisteme dhe pajisje komplekse luftarake të mbajtura afër Sjenicës, u pa nga Prishtina zyrtare si një provokim i qartë.

“Ata janë duke bërë stërvitje me drone luftarake kamikaze dhe vendndodhja e këtyre ushtrimeve është vetëm 30 kilometra nga kufiri i Kosovës dhe vetëm tre kilometra nga kufiri Serbi-Mali i Zi. Kjo tregon se Serbia është aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor”- tha kryeministri Albin Kurti.

Marko Savkoviç , këshilltar i lartë në Fondin ISAC, shpjegon se stërvitjet ushtarake nuk kanë të bëjnë vetëm me demonstrimin e fuqisë, por edhe me dërgimin e mesazheve të qarta politike. Ai shpjegoi se në aspektin praktik, stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe Serbi nuk mund të krahasohen, sepse ajo në Rrafshnaltën e Pesterit ishte shumë më komplekse, duke përfshirë degë dhe sisteme të shumta armatimi dhe pajisje ushtarake, përfshirë aviacionin. Megjithatë, shtoi ai, të dyja kanë një emërues të fshehtë, të përbashkët – dërgojnë mesazhe jo vetëm për rajonin, por për të gjithë aleatët, partnerët dhe rivalët e mundshëm.

Për analistin Roland Qafoku, këto dy stërvitje ushtarake kanë një ndryshim thelbësor. Ai theksoi se stërvitja e Ushtrisë Serbe në Pester mund të interpretohet si paralajmërim apo provokim, ndërsa stërvitjet e përbashkëta në Shqiperi ishin nën kontrollin e NATO-s dhe pjesë e një procesi normal të përbashkët stërvitor sepse, siç theksoi ai, bëhet fjalë për dy shtete, vetëm një popull.

Duke komentuar stërvitjet ushtarake të Ushtrisë Serbe, dhe ato ne Shqiperi, të zhvilluara në harkun kohor prej njëzet ditësh, Qafoku tha se një “rastësi” e tillë ngre shumë pikëpyetje.

“Një pyetje që ka shumë pikëpyetje. Kjo mund të kuptohet pasi stërvitja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën mund të ishte paralajmërim, madje edhe provokim”- tha Qafoku dhe shtoi se stërvitja në bazën e Bizës nuk përbën rrezik potencial për askënd dhe nuk është zhvilluar në fshehtësi, sepse Shqipëria, si anëtare e NATO-s, është nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga komanda e Aleancës në Bruksel, e cila ka informacion për çdo stërvitje të armatosur në territorin shqiptar.

Nga ana tjeter, analisti ushtarak Aleksandar Radiç, ofron një përgjigje të ndryshme.

Ai pohoi se stërvitja e fundit e përbashkët në Bizë duhet parë ekskluzivisht në kontekstin më të gjerë të projektit agresiv turk neo-osman që depërton në Ballkan. Sipas tij, qasja e Turqisë ndaj shitjeve të armëve disa vite më parë u nxit nga interesa komerciale, por tani është ekskluzivisht politike dhe theksoi se armatosja e Kosovës dhe e rajonit duhet parë edhe në një kontekst më të gjerë ku “rregullat e vjetra të lojës” po kthehen në skenë.

“Të gjithë po armatosen tani. Që kur forcat ruse kaluan kufirin në Ukrainë, bota ka ndryshuar. Shoqëritë po shkojnë drejt militarizimit dhe rregullat e vjetra të lojës po kthehen. Në këtë kontekst, të gjithë në Ballkan, përveç Bosnjës dhe Hercegovina, po blen armë dhe është e natyrshme të punohet për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë” – Deklaroi Radiç dhe shtoi se është një pyetje e rëndësishme se si Serbia duhet t’i ndërtojë marrëdhëniet me Turqinë në një situatë kur Turqia tregon qartë se kë ka favoritë kryesorë në Ballkan.

“Armët që i janë dorëzuar FSK-së dhe Shqipërisë tregojnë se kush ka besimin e Ankarasë zyrtare” – theksoi Radiç.

Continue Reading

Kosova

Nuk ka më kuptim, Serwer për gafat dhe kushtëzimin me Asociacionin për t’u anëtarësuar në KiE

Daniel Serwer, specialist në fushën e menaxhimit të konfliktit dhe vëzhgues i njohur i zhvillimeve politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një artikull të titulluar “Çfarë të bëhet me Asociacionin?”, ka thënë se nuk ka kuptim që Kosova të kushtëzohet me themelim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Mendoj se presioni intensiv do ta bëjë Kosovën të marrë një statut të propozuar për Asociacionin. Por nuk ka kuptim të kushtëzojmë pranimin në Këshillin e Evropës me zbatimin e tij. Anëtarësimi në atë institucion do t’u jepte serbëve në Kosovë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo ofron një forum serioz për zgjidhjen e ankesave të pakicave etnike. Serbia, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të mirëpresin interesin e Kosovës për t’u bashkuar me të”, ka shkruar Serwer

Sipas tij, përveç presionit ndaj Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet t’i kujtojnë Serbisë obligimet e saj sipas marrëveshjes së 2013-ës, derisa ka shtuar se serbët duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

“Beogradi duhet të përfundojë fushatën e tij kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane. Serbia duhet të dorëzojë terroristët e saj në Kosovë për gjykim, si dëshmi se Beogradi e pranon kornizën ligjore të Kosovës. Nuk kam asnjë dyshim, por se Prishtina do ta shikonte Asociacionin ndryshe nëse Beogradi do t’i përmbushte të gjitha këto kushte”, shtoi Serwer dhe ka potencuar se Beogradi ka dështuar të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes dhe se asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të bllokuar përparimin e Kosovës drejt BE-së, derisa ka theksuar se “kjo përfshin përpjekjet e fundit të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING