Kosova
Përfshiu një fëmijë në fushatë zgjedhore/ PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5 mijë euro
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Lëvizja Vetëvendosje, duke e gjobitur këtë subjekt politik me 5,100 euro për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore.
Sipas vendimit të PZAP-it, shkelja lidhet me përfshirjen e një fëmije në një aktivitet elektoral të mbajtur më 30 maj në Vushtrri. Në tubimin zgjedhor, një vajzë rreth 10-vjeçare ishte ngjitur në skenë dhe kishte recituar para të pranishmëve.
Paneli ka vlerësuar se pjesëmarrja aktive e fëmijës në aktivitet përbën shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, i cili ndalon angazhimin në fushatë të personave nën moshën 15-vjeçare.
Ankesat ndaj Vetëvendosjes ishin dorëzuar nga LDK-ja dhe IKD-ja, të cilat kërkuan shqyrtimin e rastit për shkak të dyshimeve për shkelje të rregullave zgjedhore që mbrojnë të miturit nga përfshirja në aktivitete politike dhe elektorale.
Në vendimin e tij, PZAP ka obliguar Vetëvendosjen që gjobën prej 5,100 eurosh ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.
Ky është një nga rastet e para të trajtuara nga PZAP gjatë procesit aktual zgjedhor që ka të bëjë me respektimin e dispozitave për mbrojtjen e fëmijëve në aktivitetet e fushatës.