Kosova
Kosova në udhëkryq/ Rrezikon cikël të përsëritur krizash politike, për shkak të mungesës së kompromisit
Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin Agder në Norvegji, thotë se Kosova rrezikon një cikël të përsëritur krizash politike, për shkak të mungesës së kompromisit mes partive.
Ai theksoi se sistemi është ndërtuar për bashkëqeverisje dhe marrëveshje politike, jo për dominim, ndaj i konsideron të nxituara edhe kandidaturat për president përpara zgjedhjeve.
Në këtë kontekst, ai e sheh veprimin e LDK-së me Osmanin më shumë si lëvizje të drejtuar nga interesat e brendshme partiake, sesa si kandidaturë reale që prodhon kompromis.
Në një situatë – në dukje të ngjashme – Osmani ka qenë edhe në vitin 2021, atëkohë ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës. Ajo i është bashkuar garës zgjedhore në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje të Kurtit, duke synuar postin e presidentes, ndërsa Kurti atë të kryeministrit.
Synimet e tyre për postet kryesore u realizuan pas zgjedhjeve të 14 shkurtit atë vit, por partneriteti politik nisi të lëkundej edhe para se të përmbyllej një mandat.