Connect with us

Shkrime

Gazmend Bardhi si Ymer Dishnica në Mukje

Nga Mero Baze

Ymer Dishnica ishte komunisti më properëndimor I Partisë Komuniste Shqiptare nga themelimi derisa e dënuan pas vitit 1946. Ai udhëhoqi bisedimet për Marrëveshjen e Mukjes në vitin 1943, mes Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar ku u ra dakord të luftohej kundër fashizmit dhe çështja e pushtetit të kalonte në plan të dytë pas luftës. Madje në Marrëveshje kishin rënë dakord të luftonin dhe për çështjen kombëtare që ishte problem I Kosovës, në kuadrin e bashkëpunimit.

Enver Hoxha e lavdëroi ditën e parë Marrëveshjen.

Pas disa ditësh I tërhoqën vëmendje të dërguarit jugosllavë dhe I shpjeguan rreziqet e ndarjes së pushtetit me Ballin dhe akoma më shumë përzierjen në Kosovë dhe ai e denoncoi Marrëveshjen.

Njeriu që u fajësua për Marrëveshjen  ishte Ymer Dishnica,  I cili dy ditë më parë u lavdërua kur e nënshkroi.
Tani Gazmend Bardhi rrezikon të ketë fatin e Ymer Dishinicës por pa pasojat e tij.

Sali Berisha, (Enveri ynë), ja ka miratuar Marrëveshjen, pasi I duhej doemos një moment përfillje nga shumica dhe bashkësia ndërkombëtare pas shpalljes “non grata”.

Këtë ishte gati ta blinte me çdo çmim. Dhe e bleu me shuarjen e Revolucionit dhe kthimin në normalitet në Kuvend. Detajet e tjera janë justifikime. As socialistët nuk i kanë ofruar ndonjë gjë që nuk u takonte edhe as ata nuk kanë marrë ndonjë gjë që e kanë kërkuar me ngulm. Madje akoma nuk dinë se çdo marrin simbolikisht.

E gjitha çfarë kanë marrë është përfillja e Sali Berishës.

Tani përfillja e Sali Berishës nuk do të jetë proces, por ishte një moment, që ndërkombëtarët dhe socialistët e përdorën për të rikthyer normalitetin në Kuvend dhe për të kthyer sherret brenda opozitës.

Është një histori që nuk mban gjatë. Berisha pas kësaj do të vazhdoj të jetë I izoluar dhe me një proces penal të ri dhe të rënd në horizont, që ka lidhje me 21 janarin. Atij do ti duhet të shpik prape revolucion me shpresë që ta përfillin përsëri.

Dhe në këtë rast do ti duhet të shpall armik Gazmend Bardhin, si Ymer Dishnicën për Marrëveshjen e Mukjes.
Kjo do të rikthej gjallërinë e Rrugicës së Shpresës, duke e justifikuar se Doktorin e tradhtuan përsëri, por ai nuk I fali.

E vërteta është se Berisha ka qetësuar makthin e tij me këtë marrëveshje natyrisht duke I hedhur ujë revolucionit e mosbindjes civile. Por në fund të fundit dhe ato në funksion të përfilljes së tij ishin. Kështu që quhen që e kanë kryer misionin.

Nëse opozitarët mendonin vërtet se po bënin revolucion për të përmbysur Edi Ramën apo për të ardhur në pushtet është problem I tyre që besojnë gënjeshtrat e veta. Berisha u ka bërë thirrje për hallin e vet dhe atë e zgjidhi pjesërisht.

Tani kur të ketë hallin tjetër të radhës mund ti thërras prap.

I vetmi dëm është që do zëvendësoj Ymer Dishnicën me Koci Xoxen, d.m.th. Gaz Bardhin me Salianjin. Dhe pastaj e ka radhën Salianji të ndëshkohet për marrëveshjen e radhës. Gjithnjë për hallin e Berishës.

Advertisement