DOSSIER
Serbia mes Titos dhe Enver Hoxhës
Tito e Enver Hoxha, në mënyra të ndryshme dhe me ca vonesa (në rastin e Shqipërisë) u angazhuan që Rusia të mos hyjë në shtetet e tyre, apo që shtetet e tyre të mos angazhohen për interesat e Rusisë. Kjo nuk mund të thuhet si përfundim për politikën e Serbisë së sotme dhe paraqet dilemën parësore: kurdo të tërhiqet vija e armëpushimit Ukrainë-Rusi a do të jetë Ballkani Perëndimor një zonë unike e sigurisë?
Nga Veton Surroi
1.
Ndodh ritualisht e shpesh në publicistikën serbe, posaçërisht të asaj në opozitë, që Serbia, gjegjësisht prijësi i saj, Aleksandar Vuçiq, të krahasohen, e herë edhe të barazohen me Enver Hoxhën. Në interpretimin e këtyre krahasimeve, Serbia po përpiqet të mbajë balancë mes Lindjes dhe Perëndimit sikur Titoja. Për më tepër, pjesë e kësaj balance është edhe mbajtja e lidhjeve me vendeve të Botës së Tretë që ishin boshti i Lëvizjes së painkuadruarve, njëri prej themeluesve të së cilës ishte Titoja. Dhe, në interpretimin krahasues, Serbia po lidhet me Kinën, ashtu siç bëri Enver Hoxha në kohën e vet.
Por, ashtu siç nuk ka histori me “po të kishte ndodhur në këtë formë, rezultati do të ishte i këtillë”, ashtu nuk ka edhe përshkrim krahasues pa kontekst paraprak. Po, është e vërtetë se Serbia ka ngjashmëri me Titon dhe Enver Hoxhën për sa i përket mospërcaktimit për identitetin perëndimor të shtetit (dhe kjo është pjesë e ideologjisë së “veçantizmit” të cilën po e ndërton prej kohës së Milosheviqit). Por, jo, Serbia nuk ka kapacitet, nuk ka ndërmend dhe nuk do ta themelojë e as t’i prijë Lëvizjes së painkuadruarve mes Lindjes e Perëndimit. Dhe jo , Serbia nuk synon të lidhet me Kinën si partner të vetin të vetëm strategjik në një luftë ideologjike kundër tërë botës.
Ç’është e vërteta, lëvizjet e Serbisë kanë marrë fillimisht diçka prej Titos, atë të balancës mes superfuqive. Por, dallimi është thelbësor: Tito prej vitit 1948 qe dëbuar prej kampit sovjetik (partive komuniste rreth Moskës, Paktit të Varshavës) dhe iu kthye Perëndimit për ndihmë në armë e përkrahje financiare si mundësi të mbijetesës. Lindjes i tha se vazhdon të jetë komunist, Perëndimit i tha se është komunist, por i një specieje të veçantë që nuk merr urdhra nga Moska. Evropianëve u tha atë që ishte evidente, se ishte evropian. Botës së tretë i tha atë që ishte evidente, se ishte Botë e Tretë.
Ndërsa Jugosllavia iu kthye Perëndimit ngase u dëbua nga Lindja, Serbia nuk u dëbua nga Perëndimi. Në fakt vendet e NATO-s prej kohësh janë shprehur për bashkëpunim të ngushtë me Serbinë e BE-ja ka hapur negociata për anëtarësim. Pra, kthesa e Serbisë kah Lindja u bë për arsye krejtësisht të kundërta; në interpretimin e Serbisë, kthesa kah Lindja nuk është bërë pse Perëndimi nuk e dëshiron Serbinë, por sepse këtë duhet ta dëshmojë, pra duhet të tregojë se e do Serbinë brenda BE-së aq shumë sa që këtë ta dëshmojë me vendime të përkrahjes financiare, politike dhe çfarëdo tjetër për anëtarësim të shpejtë në të. Kur pastaj në këtë ekuacion hyn Kosova, gjërat shkojnë kah një cikël vicioz të mëtejmë. Sepse, përderisa Kosova të jetë pengesa më e madhe e objektive për Serbinë evropiane, një pengesë që kjo Serbi si ajo e mëparmja nuk ka ndërmend ta zgjidhë nëpërmjet të normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella, lidhja e Serbisë me Lindjen është një sinjal i Perëndimit që duhet të bëjë edhe më shumë për të në mënyrë që të mos anojë më shumë kah Lindja.
Kjo lojë e balancës, ku Perëndimi duhet të dëshmojë se sa e do Serbinë brenda vetes, deri më tani ka funksionuar. Dhe, për dallim prej kohës së Titos, ku Perëndimi vetëm kishte nevojë të dëshmojë se sa nuk do që Jugosllavia të kalojë në kampin sovjetik, tash steka për të është ngritur edhe për një shkallë, duhet të dëshmojë se sa me të vërtetë do të Serbia të kalojë në Perëndim, të hyjë në BE.
Serbisë, për ngritje të stekës i ka ndihmuar gjeopolitika, gjegjësisht leximi i kujdesshëm i saj. Rregullat e Luftës së Ftohtë që i ndihmuan Titos për të mbajtur balancën nuk vlejnë më; shkoi Titoja e pas tij edhe Lufta e Ftohtë. Pas një periudhe të akomodimit me rënien e Murit të Berlinit tash jemi në një rikompozim të marrëdhënieve ndërkombëtare. Marrëdhëniet që do të dalin, mes tjerash, prej fundit të luftës në Ukrainë, rikompozimit të Lindjes së Mesme me rol të ri të Arabisë Saudite, pozicionit të Iranit dhe balancës së përgjithshme SHBA-Kinë, do të vendosin natyrën e fërkimeve mes botës transatlantike dhe asaj euroaziatike. Serbia është duke shikuar këtë teatër gjeostrategjik, jo atë të Titos e Enver Hoxhës.
3.
Procesi i ndryshimit gjeopolitik nuk ka treguar ende konturat e marrëdhënieve të reja. Dhe, ndonëse ky proces nuk ka përfunduar është e qartë se krahasimi i Serbisë së tanishme me Enver Hoxhën është fare i pavend dhe më shumë dëshirë asociimi negativ për figurën e Vuçiqit . Ndërsa Enver Hoxha u lidh me Kinën për të ikur nga Bashkimi Sovjetik (dhe Perëndimi), Serbia po lidhet me Kinën si me ekonominë e dytë më të fortë në botë e duke e shndërruar veten në treg konkurrence teknologjie, financash, tregtie ndërkombëtare dhe , përfundimisht,një Bote euroaziatike që fillon dikund në linjën e frontit mes forcave ukrainase dhe ruse në territorin e Ukrainës dhe përfundon në Vladivostok e Kinë. Kjo botë mund lehtë të përfshijë në politika ekonomike Indinë e Afrikën e Jugut e në politikë të sigurisë edhe Korenë veriore e Iranin dhe ndonjë kandidat eventual që beson në këso renditje botërore që ndërtohet mbi rregullin se nuk ka rregulla të vjetra . Enver Hoxha qe lidhur me Kinën e izoluar për ta izoluar Shqipërinë sa më shumë brenda saj Kine. Serbia po lidhet me Kinën si fuqi botërore për ta integruar edhe më shumë në atë që nesër do të jetë bota euro-aziatike, BRICS apo Jugu global , por duke mos e ndërruar adresën e vendbanimit në kontinentin evropian.
Në një analogji të largët leximi gjeopolitik i presidentit Vuçiq mund të jetë i ngjashëm me atë të Titos. Pra që Perëndimit t’i thotë se Serbia e ka të përcaktuar rrugën evropiane, Rusisë se ka një politikë të pavarur dhe neutrale që nuk e pengon lidhje të ngushtë me të, Kinës se kërkon partneritet strategjik në financa, investime, tregti, inteligjencë artificiale; Botë së tretë t’i thotë se edhe Serbia ndihet pjesë e atij Jugu global.
Ky lexim deri më tani ka funksionuar. Serbia ka testuar seriozitetin e BE-së dhe NATO-s ndaj Ballkanit perëndimor prej momentit kur është anëtarësuar Kroacia, pra prej vitit 2013. I ka rezultuar se ka progres më të madh drejt Bashkimit evropian kur Bashkimi evropian është më i interesuar për ta pasur Serbinë brenda sesa vetë Serbia. Si në transfere klubesh futbolli, gjetje të vendit të punës apo shitjes së kompanisë rëndom ndodhë të kesh më shumë rezultat kur të kërkojnë sesa kur e ofron veten.
4.
Tito dhe Enver Hoxha nuk panë përfundimin e pozicionimeve të tyre gjeopolitike ngase konteksti ndryshoi pas vdekjes së tyre.
Gjendja e tanishme e tranzicionit drejt konturave të një rirenditjeje globale mund ta testojë Serbia e sotme kurdo të arrijë momenti i të kuptuarit se lufta në Ukrainë nuk ka fitues ushtarak dhe se do të krijohet një vijë e re armëpushimi, paqeje të përkohshme apo çfarëdo emri të ketë mes forcave ukrainase dhe atyre ruse e në bazë të një Marrëveshje. Në atë moment, mund të tërhiqet vija e përkohshmërisë (pak më të gjatë) mes botës transatlantike e euro-aziatike në atë pjesë të globit.
Për Evropën, Serbinë dhe fqinjët e saj mund të paraqiten disa skenarë. Në politikën dëshirore evropiane skenari i pritur është ai moment kur Evropa merr përgjegjësinë historike, “zeitenwende” , të kthimit të madh dhe krijon një zonë të lirisë, sigurisë dhe përkatësisë brenda BE-së në një periudhë rekorde që niset prej prioritetit gjeopolitik para çdo gjëje tjetër.
Për politikën dëshirore të Serbisë mund të paraqitet momenti kur mbajtja e “pavarësisë dhe neutralitetit” në politikën karshi Rusisë është çasti i eksklamimit “a ju kemi thënë” që Rusia nuk mposhtet me luftë; do të harrohet presioni për njësimin e politikës së jashtme evropiane karshi Rusisë.
Por, në real-politikë mund të paraqiten dy skenarë negative për Evropën, Serbinë dhe fqinjët e saj.
I pari do të ishte nëse vija ndarëse mes botës atlanticiste dhe euro-aziatike të kalonte mes përmes territorit e popullit serb me një pjesë të rëndësishme të popullatës me besim në botën euroaziatike; i tërë ideologjizim i përditshëm mediatik mbi lidhmërinë e veçantë të Serbisë me Rusinë tashmë është shndërruar në besim kolektiv për një pjesë të popullatës.
Skenari i dytë do të ishte po që se kjo vijë ndarëse replikohet edhe gjithandej Ballkanit perëndimor, me skenarin më të padëshiruar të mundshëm mes tjerash edhe në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Tito e Enver Hoxha, në mënyra të ndryshme dhe me ca vonesa (në rastin e Shqipërisë) u angazhuan që Rusia të mos hyjë në shtetet e tyre, apo që shtetet e tyre të mos angazhohen për interesat e Rusisë . Kjo nuk mund të thuhet si përfundim për politikën e Serbisë së sotme dhe paraqet dilemën parësore: kurdo të tërhiqet vija e armëpushimit Ukrainë-Rusi a do të jetë Ballkani Perëndimor një zonë unike e sigurisë?