Kosova
Zbardhet prapaskena, pas kthimit nga Parisi dhe prova e tradhtisë ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka njoftuar se ai dhe qeveria e tij nuk e pranojnë kushtin e tri shteteve më të fuqishme të BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë që në këmbim të pranimit në Këshillin e Evropës të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Këtë vendim të kryeministrit e konsideron si të pritur dhe shumë të drejtë njohësi i marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi.
Në një prononcim ai ka thënë se këto tri këto shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës shtet të pavarur e sovran dhe tani vendosin kushte në favor të zhbërjes së këtij shteti.
“Ose duhet të thonë se “Gabuam që e njohëm Kosovën”, ose duhet e duhej ta votonin Kosovën në Këshillin e Evropës. Rrugë të mesme nuk ka as për SHBA-të, të cilat qëndrojnë në të njëjtën linjë me këto tri shtete evropianë. Asociacioni nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë kusht për shumë arsye. Por kryesorja lidhet me faktin se këto vende, që sponsorizuan Marrëveshjen e Brukselit dhe ankesin e Ohrit, kanë heq dorë nga dokumentet, të cilat vetë i kanë hartuar dhe që Kosova i ka pranuar. Bazuar në këto marrëveshje nuk mund të nxirret një detyrim i njërës palë nga teksti i marrëveshjes e të imponohet për zbatim. Kjo është shkelje e aneksit të Ohrit të pranuar nga palët dh nga vetë këto vende. Tani duan të kundërtën”, ka deklaruar Bytyçi
Sipas profesorit, refuzimi i kushtit për pranim në KiE nga ana e Kurtit është i arsyeshëm, sepse nuk mund të pranosh të jesh pjesë e një organizate ndërkombëtare si Këshilli i Evropës në këmbim të shuarjes së shtetit.
“Asociacioni, siç e kanë projektuar Escobar, Lajçak, Borrell e të tjerë anti-kosovarë e pro-serbë, është minë me sahat në trupin e shtetësisë së Kosovës.
Atë asociacion mund ta krijojnë vetë komunat me shumicë serbe bazuar në ligjin dhe kushtetutën e Kosovës, pa patur nevojë për ndonjë vendim të qeverisë apo të kryeministrit Kurti. Këtë e dinë francezët, gjermanët, italianët, amerikanët. Dhe derisa e dinë dhe këmbëngulin, atëherë ata kanë për qëllim ose kthimin e Kosovës nën sundimin serb, ose ndarjen e Kosovës. Në të dy rastet shteti i Kosovës zhbëhet. Pra, në këmbim të zhbërjes së shtetit nuk mund të pranohet anëtarësimi në KiE! Madje as në OKB” – ka theksuar profesori i njohur.