Connect with us

Kosova

Avancimi i Kosovës, Shea: Tani është koha që të përfshihet në Partneritetin për Paqe

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, pas avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, konsideroi se tani është momenti i duhur që aleatët të shtyjnë përpara ambicien e Kosovës për t’u anëtarësuar në programin e bashkëpunimit mes shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s apo Partneritetin për Paqe, pasi kjo do ta afrojë Kosovën më pranë NATO-s dhe do të ndihmojë në përmirësimin e mëtejshëm të ndërveprimit ndërmjet NATO-s dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Por duke qenë se brenda NATO-s janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – atëherë rruga e vendit të vogël drejt përmbushjes së këtij synimi madhor vlerësohet tejet e vështirë. Por, avancimi i statusit së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s konsiderohet të jetë koha e duhur edhe për rihapjen e debatit për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Samiti i 75-vjetorit të NATO-s në Uashington në muajin korrik është një mundësi ideale sepse aleatët do të kërkojnë rezultate dhe veprime konkrete për të demonstruar se NATO është duke ecur përpara dhe është duke rritur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor kundër ndikimit keqdashës rus” – deklaroi Shea.

Asambleja Parlamentare e NATO-s nuk është organ zyrtar i aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), por shërben si një urë lidhëse mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Megjithatë, vlerësoi specialisti i sigurisë, injorimi i vullnetit të parlamentarëve të zgjedhur nuk është një lëvizje e mençur për t’u bërë.

Në favor të avancimit të statusit të Kosovës votuan shumica e vendeve anëtare, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar nga votimi i 27 majit 2024, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet u mbajt në Sofje të Bullgarisë.

E derisa vazhdon lufta në Ukrainë, pasiguria do të jetë realitet i përhershëm, ndërsa përpjekjet për siguri kombëtare preokupim i vazhdueshëm i Kosovës. Prandaj, anëtarësimi në Partneritetin për Paqe, që synon të rrisë stabilitetin dhe të ndërtojë raporte të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s, vlerësohet të jetë një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së këtij qëllimi.

Advertisement