Kosova
Kandiç i heq vizën Serbisë: U rreshtua me huliganët dhe në errësirën e etnonacionalizmit
Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar pasi institucionet serbe kanë ndaluar festivalin “Mirëdita, dobar dan” dje në Beograd.
Ajo tha se shteti serb u rreshtua në anën e huliganëve dhe se në Serbi nuk do të mund të organizohet më debat për pajtim.
“Me ndalimin e “Mirëdita, dobar dan” Serbia dhe institucionet e saj u rreshtuan me huliganët në errësirën e etnonacionalizmit. Në Serbi më s’mund të organizohet debat për pajtimin e as protestë kundër glorifikimit të kriminelëve. Kjo është një vrimë e zezë” – theksoi Kandiç
Kujtojmë se dje ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se ka lëshuar urdhër për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” për “shkaqe sigurie”.
Hapja e festivalit është paraparë të ndodhte më 27 qershor në sheshin Dorçol dhe disa orë para hapjes, një grup i madh i djathtistëve u mblodhën në hyrje të zonës, duke valëvitur flamuj serbë.
“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.
Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare – Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova.