Connect with us

Kosova

Vuçiç me shumë halle, Kaja Kallas do ta bëjë Rusinë edhe më agresive ndaj Perëndimit

Presidenti serb Aleksander Vuçic mendon se Komisioni Evropian i sapoemëruar do të jetë “më radikalisht anti-rus se ai i mëparshmi, i cili ishte dukshëm anti-rus”.

Në një prononcim për mediat në Serbi, Vuçic kujtoi se kryeministres estoneze Kaja Kallas, e cila do të pasojë Josep Borrell si Komisioner i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, i është ndaluar hyrja në Rusi dhe gjithashtu ka fajësuar Unionin Europian për krijimin e “Komisionit më radikal anti-rus të BE-së”.

“Ju po zgjidhni dikë që e dini se nuk do të shkelë kurrë në territorin rus. Evropianët thonë se ky është një mesazh i forcës dhe rezistencës ndaj agresionit rus. Ok, por cili do të jetë mesazhi nga rusët. Ata do të thonë se do të luftojnë deri në fund me çdo armë dhe mjet qe kanë në duart e tyre”, ka thënë ndër tjerash Vuçiç.

Kaja Kallas njihet për qëndrimet e saj pro-Ukrainë dhe anti-Rusi edhe gjatë kohës sa ka shërbyer si kryeministre e Estonisë.

Kujtojmë se pushtimi rus i Ukrainës është në vitin e tretë dhe gjatë kësaj kohe Serbia nuk ka hequr dorë nga lidhjet e saj me Rusinë.

Zyrtarisht, Beogradi mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por refuzon të vendosë sanksione kundër Moskës.

Vucic e arsyeton refuzimin e tij me lidhjet miqësore me Rusinë, por edhe me mbështetjen që merr prej saj në nivel ndërkombëtar.

Në të njëjtën deklaratë, presidenti serb tha edhe se zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA do të ishin “një garë e ngushtë dhe e vështirë që mund të përcaktojë fatin e botës”.

Advertisement