Bota
Lufta/ Rusia godet me 40 raketa Ukrainën, të paktën 36 të vdekur! Shkatërrohet spitali për fëmijë
Kievi u godit me më shumë se 40 raketa ruse duke shkaktuar të paktën 36 të vdekur, deri tani, ndërsa 50 të tjerë mbetën të plagosur, njoftuan zyrtarët ukrainas. Një raketë ruse goditi edhe një spital të madh të fëmijëve në Kiev.
Në rrjetet sociale qarkullon një video, e cila duket se tregon raketën që godet drejtpërdrejt spitalin “Okhmatdyt” në Kiev ku ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e një pjesë të shembur të spitalit, njoftoi Presidentit Zelensky i cili më pas bëri thirrje për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Është shumë e rëndësishme që bota të mos qëndrojë e heshtur tani dhe të gjithë ta shohin se kush është Rusia dhe çfarë po bën ajo.” tha presidenti Zelensky në rrjete sociale
Hetuesit e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, SBU thanë se kishin vërtetuar se Rusia goditi spitalin e fëmijëve me një raketë Kh-101.
“Tashmë janë gjetur prova përkatëse në vendin e tragjedisë: në veçanti fragmente të trupit të pjesës së pasme të raketës Kh-101 me një numër serial dhe një pjesë të timonit të së njëjtës raketë,” tha SBU në Telegram.
Ndërkombëtarët dënuan sulmin. Ministri i Jashtëm italian Tajani e quajti ‘krim lufte’
Sulmi vjen në prag të takimit tre-ditor të NATO-s në Uashington, që do të shqyrtojë garancitë Ukrainës se si aleanca do të angazhohet për të vazhduar përkrahjen ndaj saj dhe t’u japë shpresë ukrainasve që vendi i tyre mund t’ia dalë në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ndërkohë presidenti Zelensky udhëtoi sot në Varshavë ku firmosi një marrëveshje sigurie me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk e cila i jep të drejtën Polonisë të godasë raketat dhe dronët rusë në qiellin e Ukrainës që qëllohen drejt Polonisë.
Nga ana tjetër Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka deklaruar se presidenti rus i tregoi se nuk kishte pritshmëri pozitive për zbatimin e një marrëveshjeje armëpushimi me Ukrainën përpara se të fillonin bisedimet serioze të paqes. Sipas tij, Putin beson se Kievi do ta përdorte këtë pauzë kundër Rusisë.
Kryeministri hungarez Viktor Orban u takua me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin. Lajmi u raportua nga mediat kineze, të cilat e përkufizuan misionin e liderit të Budapestit si “të papritur”, por “me rëndësi të madhe”.
Që nga 1 korriku, Hungaria ka qenë presidentja e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Orban ka bërë tashmë vizita “të papritura” në Kiev dhe Moskë.
Nga ana e Brukselit u përsërit se kryeministri hungarez nuk përfaqëson Bashkimin Evropian por vetëm interesat e vendit të tij në këto udhëtime jashtë vendit.