Connect with us

Aktualitet

Incidenti me Osmanin në Shkup, reagon Ministria e Brendshme në Maqedoni: Sigurimi i Presidentes shtyu punonjësin e aeroportit

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni (MPB) ka reaguar pas incidentit në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit duke thënë se sigurimi i Presidentes Osmani ka qenë iniciator i konfliktit mes sigurimit të aeroportit, policisë dhe sigurimit të Presidencës së Kosovës.

“Sot (01.08.2024) rreth orës 10 në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit përderisa presidentja e Kosovës ka kaluar kontrollin kufitar, në momentin kur i është kërkuar që të lëshojë telefonin për të kaluar nëpër skaner, një person nga sigurimi i saj ka shtyrë personin e punësuar nga TAV, për të shmangur kalimin e telefonit nëpër skaner që ishte në çantën e dorës.

Më vonë, çanta ka kaluar nëpër skaner. Pas gjysmë ore, në vendin e ngjarjes ka mbërritur sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Gashi (zyrtar policor) me dy persona tjerë zyrtar të cilët kanë kërcënuar dhe kanë kërkuar llogari nga personat e punësuar në TAV se kush e ka shqetësuar presidenten. Menjëherë është njoftuar Kontrolli i Brendshëm në MPB, hetuesit e kriminalistikës për standarde profesionale në MPB, Prokuroria publike dhe po merren masat e duhura për të zbardhur rastin”, thonë nga MPB sipas mediave vendase.

Më herët këshilltari për media në presidencën e Kosovës, Bekim Kupina tha: “Ekipi i presidentes i shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike.

Sipas tij, përkundër rregullave, pala maqedonase mori çantën personale të presidentes, ndonëse ekipi i saj lejoj për të kaluar në sallën VIP, e cila ishte rezervuar nga Ambasada e Kosovës.

“Nuk është lejuar në asnjë mënyrë dorëzimi i telefonit personal. Sjellja e zyrtarit të aeroportit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur kurrë në udhëtimet e presidentes,” tha ai.

Kupina gjithashtu tregoi se kishte një tendencë për ta provokuar delegacionin e Kosovës dhe se presidentja e kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, mbi këtë skandal diplomatik.

Advertisement