Kosova
Kurti-Quint kontrollojnë urën, Osmani thotë se siguria duhet t’i paraprijë datës për hapjen
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të hënën, ka deklaruar se vlerësimet e përbashkëta të sigurisë, posaçërisht me partnerët ndërkombëtarë në kuadër të NATO-s, duhet t’i paraprijnë datës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
“Në konteksin e hapjes së urës, duhet, siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën. Pra, puna e përbashkët është e domosdoshme dhe në interes të Kosovës”, ka theksuar Osmani.
Ajo gjithashtu tha se koordinimi brenda Kosovës me aleatët, posaçërisht me anëtarët e NATO-s, do të ndikonte edhe në rrafshin ndërkombëtar, dhe do të rriste besimin dhe entuziazmin për të ndihmuar Kosovën edhe në rrafshin e njohjeve të reja dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës ka insistuar se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetatin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete. Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se – tash për tash – nuk është koha e duhur për hapjen e urës.