Connect with us

Aktualitet

Tragjedia/ Asnjë familjar nuk ka tërhequr nga morgu trupat e mësuesit amerikan dhe gruas së tij

Trupat e mësuesit amerikan Matthew Wertz, dhe bashkëshortes së tij indoneziane Saragih Indah Lilis Sartika vijojnë të jenë ende në morg.

Asnjë prej anëtarëve të familjeve të dy viktimave nuk ka paraqitur kërkesë për tërheqjen e trupave deri mesditën e sotme, bëjnë me dije burime pranë grupit hetimor dhe korrespondencat që kanë pasur Ministria e Drejtësisë me Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Trupat e tyre i janë nënshtruar ekzaminimeve mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet konkrete të vdekjes, ku nga hetimet paraprake dyshohet se burri mbyti fillimisht bashkëshorten, më pas dy qentë që mbanin në banesë dhe më pas vari veten.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje kolegët dhe drejtuesit e kolegjit ku punonte mësuesi amerikan. Në deklarimet ata kanë thënë se ai ishte i qetë dhe nuk ka shfaqur asnjë problematikë për katër vite që ka shërbyer në këtë kolegj apo të ketë ndarë me ta ndonjë shqetësim.

Çifti mësohet se më herët ka jetuar në një banesë tek Unaza e Re dhe vetëm prej një muaji ishin zhvendosur në banesën private pranë shinave të trenit, ku ndodhi ngjarja të cilën e kishin marrë me qira. Nga fqinjët nuk ka deklarime me vlerë për hetimin pasi nuk kanë pasur shumë komunikim me to.

Ndërkohë të njohur të Matthew Wertz thonë se në të shkuarën ai ka pasur probleme me konsumimin e alkoolit dhe depresionin.

Mësuesi amerikan kishte lënë edhe një letër para se të kryente aktin ekstrem, që u gjet nga policia dhe grupi hetimore, ku kishte lënë një letër lamtumire për babanë e tij me fjalët: “Më fal, nuk ia dola dot” dhe ndër të tjera shkruante se “kishte shumë vese dhe kishte shumë borxhe”.

Advertisement