Connect with us

Aktualitet

I kërkuar nga SPAK/ Pjesë e grupit Çopja, Arben Lamçja ekstradohet drejt Shqipërisë

Arben Lamçja, i kërkuar nga SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen kriminale “Plumbi i Artë 2” është ekstraduar dy javë pasi u arrestua në Kosovë. Lamçja, pjesë e grupit Çopja në Elbasan, i akuzuar për vrasje me pagesë, është arrestuar në Prishtinë në lagjen “Emshir”. Më 31 korrik të këtij viti me kërkesë të të SPAK, GJKKO lëshoi 30 urdhër arreste.

Në fakt ky urdhër lidhet me 6 vrasje të kryera në Elbasan, Rrogozhinë dhe Berat, të cilat pretendohet se janë zbuluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë 2”.

Bëhet me dije se pas zbardhjes së komunikimeve të “SkyECC”, SPAK mundi të zbulojë si vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja nisën aktivitetin e tyre kriminal rreth viteve 2006-2007, duke shpërndarë në sasi të vogla kokaine, derisa arritën të zgjeroheshin edhe ne vende të tjera të Evropës e jo vetëm dhe një nga grupet më të rrezikshme kriminale në Elbasan, për të porositur vrasje të shumta.

Njoftimi:

Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme kapjeje dhe ekstradimi po kryhen në kuadër të operacionit policor të posaçëm, të koduar “Para drejtësisë”.

I akuzuar nga SPAK, për sigurim të kushteve/mjeteve për të kryer vrasje dhe për pastrim të parave nga veprimtari kriminale, ekstradohet nga Kosova, 50-vjeçari.

Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të kërkuar ndërkombëtarisht, A. L., 50 vjeç.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar 50-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. L. ka siguruar kushte/mjete, me qëllim vrasjen e shtetasit N. M., për llogari të shtetasit F. G. alias F. C.. Gjithashtu, dyshohet se për llogari të të njëjtit shtetas, 50-vjeçari ka pastruar para që kanë patur burim veprimtari kriminale.

Advertisement