Rajon
REPUBLIKA E MAQEDONISË SË VERIUT NË SHTJELLËN E PËRPLASJEVE POLITIKE TË BRENDSHME DHE TË JASHTME
Kryeministri Hristijan Mickosi u kërkoi liderëve të partive politike që të mos merren me tema etnike. Në manifestimin e “2 Gushtit – Ditës së Republikës së Shëndëllisë”, Mickoski u shpreh që në tavolina të flitet për “më shumë para për njerëzit… për ekonominë dhe si të zgjidhen problemet e qytetarëve”. Mirëpo ai harron që çështjet etnike – diskriminimi etnik, përjashtimi i një etnie, trajtimi i tyre si përqindje – sollën konfliktin e vitit 2001 dhe (mos)zgjidhja e tyre duhet shqyrtuar seriozisht në tavolinën e çdo kryeministri të vendit. Për më tepër, shkurtimi i mjeteve në projektet kapitale në pjesën ku jeton një grup etnik i ndryshëm nga maqedonasit paraqet rikthim në periudhën e diskriminimit etnik, të përjashtimit e të trajtimit të tyre si të rendit të dytë apo si çështje për të cilat ka vetëm “zgjidhje teknike”. Përjashtimi i shqiptarëve nga puna dhe zëvendësimi i tyre me maqedonas, si dhe moslejimi i mësimit në gjuhën shqipe në komunën e Çashkës vërtetojnë një qasje diskriminuese ndaj shqiptarëve. Prandaj, kjo politikë noprane maqedonase, e yshtur nga ajo serbe, duhet bërë zap, që RMV-ja të mos marrë flakë!
Shkruan: Lirim SHALA
Në maj të këtij viti, Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV) mbajti zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që sollën ndryshimin e qeverisjes. Pas rivotimit të 22 majit për zgjedhjet parlamentare, koalicioni “Maqedonia jote”, i drejtuar nga VMRO-DPMNE, fitoi 58 mandate; koalicioni “Për ardhmëri europiane”, i drejtuar nga LSDM, fitoi 18 mandate; koalicioni “Fronti europian”, i drejtuar nga BDI, fitoi gjithashtu 18 mandate; koalicioni “Vlen” fitoi 14 mandate; partia “E Majta” fitoi gjashtë mandate; Lëvizja ZNAM – për Maqedoninë tonë fitoi gjashtë mandate. Pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, Gordana Siljanovska – Davkova u bë presidentja e re e RMV dhe e para femër në këtë pozitë shtetërore.
Ky epilog i zgjedhjeve përcaktoi ndryshimin e qeverisjes, e mbi të gjitha pa BDI-në, parti me të cilën qeverisën të gjitha të tjerat, kush më shkurt e kush më gjatë në kohëzgjatje.
Në qershor të këtij viti, Kuvendi i RMV-së votoi qeverinë e re të vendit me në krye drejtuesin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskin, i cili siguroi përkrahjen е 77 deputetëve, pra një qeveri me koalicionin “Vlen” dhe Lëvizjen ZNAM. Po këtë ditë ndodhi dhe përplasja e parë e brendshme, e cila tashmë kishte dhënë shenjat e saj qysh gjatë fushatës parazgjedhore – ajo me Frontin europian, për të cilin, qeveria aktuale nuk e ka legjitimitetin etnik. VMRO-DPMNE veproi sikur në vitin 2006, kur atëbotë, ish-kryeministri në arrati, Nikolla Gruevski mori qeverisjen në dorë, duke përfshirë socialdemokratët e rinj (LRSD) dhe PDSh-në (humbësen në krahun e shqiptarëve). Gruevski shkeli mekanizmin e Badinterit, duke votuar disa ligje nëpërmjet votave të pakicave dhe të PDSh-së. Kjo bëri që BDI të tërhiqet nga Kuvendi dhe të rikthehet vetëm pas një marrëveshje liderësh Gruevski – Ahmeti, që solli zgjedhje të parakohshme parlamentare më 2008 dhe hyrjen e BDI-së në qeveri. Kështu u zbatua një parim i pashkruar – fituesi të bëjë qeveri me fituesin – diçka që nuk është përcaktuar as në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit (MKO).
Duke paralajmëruar qysh para zgjedhjeve dhe duke mos marrë parasysh thirrjet e drejtuesit të BDI-së, Ali Ahmetit, Hristijan Mickoski e mbajti fjalën e dhënë gjatë fushatës, pra formoi një qeveri pa BDI-në. Ky veprim konsiderohet si hakmarrje ndaj kësaj partie, e cila pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2016, vendosi të qeverisë me LSDM-në dhe Aleancën për Shqiptarët (ASh), duke shkelur kështu parimin e pashkruar – fituesi të bëjë qeveri me fituesin. Ndoshta kësaj radhe VMRO-DPMNE-ja e ka më të lehtë shmangien e BDI-së, duke pasur parasysh që shumica e ligjeve që kërkojnë votën e dyfishtë, tashmë janë votuar dhe janë duke u zbatuar.
Një përplasje tjetër, por brendaqeveritare, po shoqëron qeverisjen e re. Një vendim i ministrit Goran Minçev – nga Lëvizja ZNAM, për t’u respektuar mënyra e re e llogaritjes së balancuesit, do të thotë më pak shqiptarë të punësuar në institucionet publike. Koalicioni “VLEN” e quajti këtë veprim ‘një doktrinë antishqiptare”.
Kur flasim për balancuesin, partitë që përfaqësojnë popullin, pajtohen që ky mekanizëm është, por se vazhdon të keqpërdoret gjatë punësimeve në institucionet publike.
Një tjetër çështje i parapriu balancuesit – ajo e flamurit shqiptar. Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski kërcënoi me dalje nga qeveria, megjithëse atij nuk i kishte penguar flamuri shqiptar gjatë fushatës për zgjedhjet vendore.
I ndodhur mes dy zjarreve, kryeministri Hristijan Mickosi u kërkoi liderëve të partive politike që të mos merren me tema etnike. Në manifestimin e “2 Gushtit – Ditës së Republikës së Shëndëllisë”, Mickoski u shpreh që në tavolina të flitet për “më shumë para për njerëzit… për ekonominë dhe si të zgjidhen problemet e qytetarëve”. Mirëpo ai harron që çështjet etnike – diskriminimi etnik, përjashtimi i një etnie, trajtimi i tyre si përqindje – sollën konfliktin e vitit 2001 dhe (mos)zgjidhja e tyre duhet shqyrtuar seriozisht në tavolinën e çdo kryeministri të vendit. Për më tepër, shkurtimi i mjeteve në projektet kapitale në pjesën ku jeton një grup etnik i ndryshëm nga maqedonasit paraqet rikthim në periudhën e diskriminimit etnik, të përjashtimit e të trajtimit të tyre si të rendit të dytë apo si çështje për të cilat ka vetëm “zgjidhje teknike”. Përjashtimi i shqiptarëve nga puna dhe zëvendësimi i tyre me maqedonas, si dhe moslejimi i mësimit në gjuhën shqipe në komunën e Çashkës vërtetojnë një qasje diskriminuese ndaj shqiptarëve.
Në fjalësin e politikës u rikthye “destabilizimi”, e gishti u drejtua te shqiptarët, më saktë te BDI-ja, parti që vazhdon fushatën e saj të kontestimit të legjitimitetit të qeverisë aktuale.
Shtatori erdhi, e destabilizimit s’i shihet koka gjëkundi. Mirëpo, kur kjo fjalë përmendet nga kreu i qeverisjes, atëherë gjërat duhet marrë seriozisht, sepse destabilizimi mund edhe të ndodh, por vetëm duke diskriminuar, nëpërkëmbur, e nënvlerësuar jomaqedonasit në vend. Një gjë e këtillë ndodhi në fillimshekullin e ri, e çdo qeveri që erdhi, e që do të vijë, duhet të punojë që të mos ndodh edhe një destabilizim tjetër, sepse në rast të një zhvillimi të këtillë, hesapi i shtëpisë nuk del në pazar.
Në pah, qeverisja e Mickoskit duket se ka nisur mbarë, por mund të mbarojë shtarë.
Përplasjet e brendshme u shoqëruan nga ato të jashtmet – me Sofjen e Athinën. Kontestimi i marrëveshjes me Greqinë – për emrin, si dhe me Bullgarinë – për fqinjësinë e mirë, tërheq Maqedoninë e Veriut në vorbullën e izolimit ndërkombëtar, duke ekspozuar vendin ndaj politikave të trekëndëshit Rusi – Kinë – Iran.
Politika e përplasjes me fqinjët e Shkupit tashmë ka dhënë frytet e saj me shije të athëta. Një vend që nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit më 2004, sot gjendet para një izolimi të dyfishtë të ri.
RMV dele s’ka, por shet lesh, duke harruar që konfrontimi i brendshëm dhe i jashtëm mund ta bëjë atë kurban të përplasjeve gjeopolitike, me ç’rast humbësi vërehet sheshit.
Në kulmin e kësaj pështjelle politike, Mickoski gjen një zgjidhje – huamarrje në Hungari në vendstrehimin e paraardhësit të tij, Gruevskit. Politikë inati, apo rastësi, Mickoski shkon te Gruevski, duke e rikthyer në heshtje atë dhe politikat e tij të përplasjes brendashtetërore. Rikthimi i ikanakut paraqet rikthimin e politikave të tutorit serb – të përfytjes me shqiptarët, por edhe të kacafytjes me grekët e bullgarët. Kjo politikë lejon që RMV-në ta përlajë shkulmi i trekëndëshit Rusi – Kinë – Iran, nëpërmjet parave hungareze, burimi i të cilave mund të jetë pikërisht ky trekëndësh. Braktisja e Korridorit VIII – korridorit të NATO-s, paraqet kujën që duhet të na zgjojë. Gruevski ndoqi politikën që vonoi anëtarësimin e RMV-së në NATO, duke tentuar të paraqesë fqinjin lindor e jugor si pengues. Duke vendosur këtë lëbyr, veproi brenda, që të mos vërehet tentimi i përkeqjes mes shqiptarëve dhe maqedonasve, me synimin e një raundi të dytë të mundshëm të vitit 2001. Mickoski ecën me revan në hullinë e çelur prej Gruevskit. Një raund të dytë të vitit 2001, në mënyrë dhe formë tjetër, që mund të arsyetohet nga bashkësia ndërkombëtare, është synimi i VMRO-së. Në këtë kurth tashmë të ngritur me ndihmën e Serbisë, po bie politika e Mickoskit, mirëpo sfidohet nga reagimet e Sofjes e të Athinës, por jo edhe të Tiranës, që vazhdon me një politikë të jashtme të pëgërë ndaj shqiptarëve jashtë saj. Kjo politikë po sfidohet edhe nga brenda, nga Fronti Europian, që ka plotësisht të drejtë kur flet për legjitimitetin, por që e ka humbur nga mënyra e qeverisjes dhe e kullandrisjes së çështjeve të pazgjidhura, sidozot Ligji – i cunguar – i Përdorimit të Gjuhëve, që ka mbetur pezull në duart e Gjykatës Kushtetuese, e që ka rikthyer ethet e diskriminimit etnik. Një gjë është e qartë, politika noprane maqedonase, e yshtur nga ajo serbe, duhet bërë zap, që RMV-ja të mos marrë flakë!