Connect with us

Shkrime

NE POLITIKE EDHE DJALLI E CITON BIBLEN

Shkruar nga Gjergj Zefi

Ka momente kur politika e heq maskën ideologjike dhe del lakuriq: jo si mejdan idesh, jo si garë programesh, as si përplasje mes të majtës dhe të djathtës, por si pazar pushteti. Rasti i Rumanisë është një prej këtyre momenteve. Një qeveri pro-europiane u rrëzua pasi socialdemokratët e PSD-së bashkuan votat me të djathtën ekstreme të AUR-it në një mocion mosbesimi. Kryeministri Ilie Bolojan ra, ndërsa Bukureshti hyri sërish në një krizë politike që nuk është vetëm rumune, por europiane.

Në letër, këto dy kampe duhet të ishin kundërshtarë të papajtueshëm. Njëra palë mban flamurin e së majtës sociale, tjetra të nacionalizmit të ashpër. Por kur në lojë hyn pushteti, postet, kontrolli mbi buxhetin, administratën dhe qarkullimin e elitave, ideologjitë bëhen perde tymi.

E majta dhe e djathta, që ditën mallkojnë njëra-tjetrën në podiume, natën e gjejnë gjuhën e përbashkët në korridoret e pushtetit.

Për Europën, rasti rumun është më shumë se një krizë lokale. Ai tregon se presioni populist, lodhja nga masat ekonomike dhe kalkulimet e partive tradicionale mund të shembin tabu politike që deri dje konsideroheshin të paprekshme.

Nëse kordonët sanitarë bien njëri pas tjetrit, ekstremi i djathtë nuk ka më nevojë të fitojë drejtpërdrejt pushtetin; i mjafton të bëhet faktor i domosdoshëm në rrëzimin ose kushtëzimin e qeverive. Kjo lëvizje përbën një çarje të re në atë që në Europë njihet si “firewall”, ose kordoni sanitar politik që synon të mbajë larg pushtetit ekstremet nacionaliste.

Rumania është shembulli më i freskët i këtij paradoksi. Qeveria Bolojan ra në sfondin e masave të ashpra fiskale, deficitit të lartë, tensioneve për fondet europiane dhe rritjes së ekstremit të djathtë. Por përtej shifrave, mesazhi është politik: partitë tradicionale, kur ndihen të kërcënuara, janë gati të kapërcejnë çdo ‘vijë të kuqe’ që vetë e kanë shpallur të shenjtë.

Kjo nuk është sëmundje vetëm e Bukureshtit. Edhe Shqipëria e njeh mirë këtë teatër.

Tek ne, e majta dhe e djathta shpesh dalin në ekran si armiq për jetë a vdekje. Njëra flet për oligarki, tjetra për krim; njëra për kapje të shtetit, tjetra për demokraci të rrezikuar; njëra për stabilitet, tjetra për rotacion. Por kur preket arkitektura reale e pushtetit, kur hapet diskutimi për sistemin zgjedhor, për financimin e partive, për listat, për emërimet, për drejtësinë, për kontrollin e administratës apo për hapësirën që duhet t’u lihet forcave të reja politike, papritur “armiqtë” gjejnë një gjuhë të përbashkët.

Sepse në Shqipëri, konflikti i madh nuk është gjithmonë mes së majtës dhe së djathtës. Shpesh është mes elitave të vjetra dhe shoqërisë që kërkon qarkullim. Mes partive që duan ta mbajnë politikën si pronë private dhe qytetarëve që duan të hyjnë në garë pa bekimin e kryetarëve të përjetshëm. Mes sistemit që prodhon të njëjtat fytyra dhe energjisë së re që kërkon të çajë bllokadën.

Këtu qëndron hipokrizia. Kur shfaqet një forcë e re, kur një grup qytetarësh kërkon përfaqësim, kur të rinjtë tentojnë të ndërtojnë një alternativë jashtë dyerve të mëdha të pushtetit, atëherë e majta dhe e djathta nuk janë më aq të ndara. Atëherë nis loja e heshtur: rregulla që vështirësojnë konkurrencën, media që polarizohen, financime që mbeten në duart e të fortëve, sistem elektoral që favorizon makineritë e vjetra.

Në publik, partitë e mëdha flasin për demokraci. Në praktikë, sillen si kartele. Garojnë ashpër për karrigen, por bien dakord për tavolinën. Zihen për pushtetin, por jo për sistemin që ua garanton pushtetin. Akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, por rrallë e hapin deri në fund kutinë e zezë të financimit politik. Flasin për reformë, por kujdesen që reforma të mos ua prishë rehatinë.

Rumania na kujton se demokracitë nuk rrezikohen vetëm nga ekstremet. Rrezikohen edhe nga partitë tradicionale që i përdorin ekstremet si mjet taktik. Rrezikohen kur “vijat e kuqe” bëhen elastike sipas interesit të ditës. Rrezikohen kur parimi zëvendësohet nga kalkulimi dhe kur politika kthehet në sport mbijetese për kasta të konsumuara.

Në fund, pyetja nuk është nëse e majta dhe e djathta mund të bëhen bashkë. Sigurisht që mund të bëhen, kur interesi publik e kërkon. Pyetja është: për kë bëhen bashkë?

Nëse bëhen bashkë për stabilitet, reforma, drejtësi dhe integrim europian, atëherë kompromisi është akt përgjegjësie.

Por nëse bëhen bashkë për të mbyllur sistemin, për të ruajtur privilegjet, për të bllokuar qarkullimin e elitave dhe për t’u treguar forcave të reja se politika është klubi privat i tyre, atëherë nuk kemi më kompromis. Kemi pakt mbijetese.

Dhe paktet e mbijetesës së elitave janë gjithmonë në kurriz të qytetarëve./Pamfleti

 

Advertisement