Kosova
Liderët e UÇK në burg/ Kurti: Gabimet politike të së kaluarës na sollën te Gjykata Speciale
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lidhur me shtyrjen e vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se nga gabimet politike të së kaluarës duhet të mësohet.
Sipas Kurtit, amendamenti numër 24 i Kushtetutës, i datës 3 gusht 2015, është një ndër ditët më të rënda për Kosovën e pavarur.
“Gjithmonë duhet të kujtohet dhe të mbrohet, por në të njëjtën kohë është e domosdoshme të nxjerrim mësime nga gabimet politike të bëra, të cilat na kanë sjellë në këtë situatë, ku në vend se të kemi gjykata normale, kemi një gjykatë speciale që tash edhe i vonon vendimet e saj”, deklaroi Kurti para gazetarëve.
“Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të cilët vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në burg”.
Ai shtoi se për shtyrjen e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë mësuar përmes lajmeve, pasi ekzekutivi nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Speciale, për të cilën tha se “nuk karakterizohet nga transparenca”.
“Kosova ka nevojë për gjykata normale dhe jo për gjykata speciale, e cila tash edhe i vonon vendimet e saj”.
Kurti gjithashtu theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe gjithmonë do të kujtohet dhe mësohet nga shumë breza si një luftë e drejtë.
Albin Kurti, është deklaruar sot edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.
Ai tha se partitë poitike kanë afat deri më 12 maj për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit.
Kurti deklaroi se kanë mbetur edhe pesë ditë deri në përmbylljen afatit, teksa paralajmëroi mbajtjen e Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm dhe dy mbledhjeve të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti deklaroi se aktualisht nuk mund të flasë për emrat që do të jenë pjesë e listës zgjedhore.
“Nuk mund të flas për emra se kush do të jetë në listë, por ne jemi duke e zbatuar programin dhe zotimet me të cilat i kemi fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit”, tha ai.
Sipas tij, vendi nuk ndodhet në një situatë të re politike, por vetëm po shkon në zgjedhje të reja, duke kujtuar se zgjedhjet e fundit janë mbajtur vetëm katër muaj më parë.
“Nuk mund të themi që kemi situatë të re, por vetëm zgjedhje të reja sepse para katër muajsh patëm zgjedhje”, tha ai.
Kurti shtoi se opozita kishte bojkotuar procesin e mëparshëm dhe se Vetëvendosje synon ta përsërisë rezultatin elektoral.
“Pasi opozita i bojkotoi zgjedhjet, po shkojmë për ta përsëritur rezultatin”, përfundoi Kurti.