Kosova
Vulin fyen Europën dhe Amerikën: Nuk e njohim Kosovën, do bëj ç’mos për ‘Botën Serbe’
Zëvendëskryeministri i Serbisë, i sanksionuar nga Amerika dhe mik i ngushtë i Moskës Aleksandar Vulin, deklaroi së fundmi se BE-ja asnjëherë nuk e ka përmbushur premtimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit, prandaj, siç tha ai, ka humbur besimin në Bruksel dhe institucionet evropiane. Ai ka thënë se Serbia kurrë nuk do ta përmbushë pritjen kryesore evropiane – njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Unë nuk do të ndryshoj politikën time dhe nuk do të ndalem së avokuari për bashkimin e serbëve, botës serbe, neutralitetin ushtarak dhe marrëdhëniet më të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Ndryshe nga SHBA dhe NATO, Rusia dhe Kina nuk na kanë bombarduar apo te na kene kërkuar që ne te njohim Kosovën ose të heqim dorë nga Republika Srpska” – deklaroi Vulin
I pyetur nëse mund ta imagjinonte anëtarësimin në BE me kusht që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Vulin theksoi se njohja e Kosovës është krejtësisht e papranueshme për Serbinë.
“Është territori serb që na është vjedhur. Tani nuk mund të thuhet: ‘Gjëja më e rëndësishme është që serbët që jetojnë atje të qetësohen dhe t’u jepen disa të drejta’. Evropa nuk kursen as para dhe as mjete të tjera për të rivendosur kufijtë e Ukrainës. Pse kjo nuk vlen kur është fjala për Serbinë?”, theksoi Vulin.