Kosova
Endrra janë, edhe dalin…Lajçaku flet për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor
Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” ka thënë se është koha që të bëhet realitet integrimi i Ballkanit Perëndimor në gjirin e BE-së.
“Në Berlin mesazhet ishin shumë të qarta: është arritur shumë për njerëzit e rajonit, por koha ka ardhur që ta bëjmë realitet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, ka shkruar diplomati sllovak.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, deri më tani, janë nënshkruar disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre nuk janë implementuar akoma nga qeveritë nacionale. Ato kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve e arkitektëve.
Kosova dhe Shqipëria i kanë ratifikuar të gjitha marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit, por jo edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia, ndër të tjera, nuk e respekton marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale, kurse Bosnje dhe Hercegovina nuk ka ratifikuar asnjërën, përfshirë marrëveshjen për lëvizje të lirë.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në mbledhjen e liderëve se nga 1 janari 2025, në mënyrë të njëanshme, vendi i vogël ballkanik do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje dhe Herecegovinës, pavarërisht se ky shtet nuk e ka njohur akoma pavarësinë e Kosovës.
Kujtojme se, nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, të gjitha ose kanë statusin e vendit kandidat, ose kanë nisur tashmë negociatat e aderimit në BE. Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE në vitin 2022, por blloku nuk e ka shqyrtuar akoma, kryesisht për shkak të tensioneve mes Prishtinës e Beogradit.