Aktualitet
Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Ndërtuesve për pezullimin e referencave
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve për pezullimin e VKM-së për rritjen e çmimeve të referencës së apartamenteve në Tiranë. Në seancën e dytë që zgjati 30 minuta, Gjykata Kushtetuese pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës për pezullim. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Holta Zaçaj deklaroi mbylljen e procesit gjyqësore, teksa pohoi se trupa e gjyqtarëve tërhiqet për vendimin përfundimtar. Shpallja e vendimit përfundimtar, pra nëse do të shfuqizohet apo jo vendimi me çmimet e reja të referencës, do të komunikohet sipas parashikimeve ligjore.
“Në lidhje me kërkesën për pezullim, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës për pezullim, pasi nuk u provuan pasojat e pariparueshme që sjell zbatimi i VKM nr.457 2023, në kuptim të nenit 45 të ligjit Organik të Gjykatës Kushtetuese. Deklarojmë mbylljen e procesit gjyqësor. Trupa e Gjykatës tërhiqet për të marrë vendim. Dita dhe ora e shpalljes së vendimit do t’u komunikohet sipas parashikimeve ligjore”, u shpreh Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj.
Sipas parashikimeve ligjore afati për dhënien e vendimit mundëson deri në 30 ditë kohë referuar ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipëri” Nr.8577, datë 10.2.2000 (ndryshuar me ligjin nr.99/2016). Gjatë seancës nga palët u paraqitën konkluzionet përfundimtare.
Në konkluzionet e tij përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve pohoi se mbështetur në analizat konkrete për lejet e miratuara të ndërtimit, llogaritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë me çmimet e reja të referencës rrit 80% barrën fiskale te ndërtuesit. Sipas tij kjo do të rrisë çmimet e apartamenteve.
Për sa i përket llogaritjes së barrës fiskale, në morëm në analizë disa leje konkrete të anëtarëve të shoqatës, që kanë paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë 8% para hyrjes në fuqi të vendimit. Rezulton se taksa është llogaritur sipas çmimeve të reja të referencës, të përcaktuara në VKM që është objekt gjykimi në seancë.
VKM-ja e re, për aspektin e fuqisë prapavepruese, nuk mund të zbatohet për këto leje ndërtimi, shqyrtimi dhe miratimi i të cilave është bërë në momente të ndryshme kohore. Rritja e barrës fiskale shkon deri në 80%. Çmimi i ri i kontratave për apartamente që do të lidhen pas hyrjes në fuqi të VKM-së do të diktohet çmimi i ri. Për të njëjtin objekt disa njësi banimi do të shiten me çmim tjetër, disa me çmim më të lartë për shkak të zbatimit me fuqi prapavepruese të VKM-së.”.
Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare vuri theksin se akti nënligjor nuk cenon parimet kushtetuese dhe kërkoi pezullimin e kërkesës. Sipas saj nga kërkuesit nuk u arrit të argumentohet në mënyrë të drejtpërdrejtë sesi cenohet nga pikëpamja Kushtetuese.
Gjithashtu nga përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave u theksua se është zbatuar kriteri i propocionalitetit, duke respektuar interesat e kërkuesit dhe të publikut.Seanca e parë për shqyrtimin e padisë së Shoqata e Ndërtuesve u mbajt në 13 Shtator 2024 në Gjykatën Kushtetuese.
Në padi ndërtuesit kanë kërkuar shfuqizimin e aneksit 1 të vendimit ku përcakton çmimet e ndryshuara të referencave të shitblerjes së apartamenteve dhe shkronjës “dh” të aneksit 2 të vendimit që përcakton veprime prapavepruese për “çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimore për ndërtimet e reja regjistruar sipas lejes së përdorimit në ASHK, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të indeksohet me koeficientin 0.2 (zero pikë dy) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqes së apartamentit të banimit sipas listës së përcaktuar aneksin 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi, për 5 vitet e para pas regjistrimit të lejes së përdorimit në ASHK.
“Shfuqizimin e pjesshëm të vendimit nr. 457, datë 26.07.2023 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në vendimin nr. 132, datë 07.03.2018 të Këshillit të Ministrave “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, të ndryshuar” (VKM nr. 457/2023) shkronjës “dh” të Aneksit 2, si dhe në pjesën që ka emërtuar të përcaktoje në Aneksin 1, pika a.2) se çmimet mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllime banimi për Bashkinë Tiranë, do të zbatohen për lejet e ndërtimit të dhëna pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Në padi nga Shoqata e Ndërtuesve është kërkuar edhe pezullimi i zbatimit të shkronjës “dh” të Aneksit 2, si dhe pikës a.2) të Aneksit 1, për lejet e ndërtimit të dhëna përpara hyrjes në fuqi të VKM-së nr. 457/2023 deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, citohet në objektin e padisë dërguar Gjykatës Kushtetuese./ Monitor