Connect with us

Bota

Çfarë do të thotë vd’ekja e Sinwarit për Hamasin e Libanin?

Sipas kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, vrasja e të mërkurës e shefit politik të Hamasit, Yahya Sinwar do të thotë se “Hamasi nuk do të sundojë më Gazën”. Sipas Netanjahut, vdekja e Sinwarit, e cila u konfirmua të enjten, shënon fillimin e “ditës pas Hamasit”. Vëzhguesit, megjithatë mendojnë ndryshe për milicinë e Hamasit të mbështetur nga Irani, e cila është kategorizuar si organizatë terroriste nga SHBA, BE dhe shumë vende të tjera.

“Vrasja e Sinwar-it është padyshim një goditje për Hamasin duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që ai luajti brenda organizatës,” tha për DW, Neil Quilliam, bashkëpunëtor në Programin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut të institutit Chatham House me qendër në Londër. Megjithatë Quilliam thekson se në të kaluarën politika e prerjes së kokës drejtuese ka bërë pak për të minuar vullnetin dhe aftësinë e Hamasit për të luftuar Izraelin. 62-vjeçari Sinwar mori pushtetin pas vrasjes së liderit të mëparshëm politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran këtë korrik.

Quilliam mendon, se “Hamasi do të ngrejë një brez të ri liderësh, duke rizhvilluar kapacitetin e tij ushtarak dhe teknologjik dhe duke u bërë thirrje palestinezëve të rinj në Gaza dhe Bregun Perëndimor, të prekur nga konflikti me Izraelin”. Këtë qëndrim ka edhe Peter Lintl, studiues në fondacionin gjerman Shkenca dhe Politika (SWP). “Hamasi është sigurisht i dobësuar, por vdekja e Sinwar nuk është një goditje vdekjeprurëse për milicinë”, tha ai për DW.

“Mundësi armëpushimi?”

Ndërkohë nga qarqet politike gjermane, franceze dhe amerikane është dëgjuar shpresa që vdekja e Sinwar-it të mund të paraqesënjë mundësi për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza. Largimi i Sinwar-it nga fusha e betejës, “paraqet një mundësi për të gjetur një rrugë përpara që i kthen pengjet në shtëpi, e çon luftën në fund dhe na çon në një ditë më pas”, tha të enjten Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

Por të premten, vetëm një ditë pasi konfirmoi vdekjen e Sinwar-it, Hamasi u zotua se do t’i mbajë pengjet deri në fund të luftës në Gaza. Në 13 muajt e fundit të luftës në Gaza, e cila u ndez nga një sulm vdekjeprurës i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, rreth 42,000 njerëz janë vrarë sipas autoriteteve shëndetësore të drejtuara nga Hamasi. Dhe nga rreth 250 pengje që u morën në Gaza nga Hamasi më 7 tetor, rreth 100 ende besohet se janë në duart e Hamasit.

Megjithatë, Mohammed al-Qawas nga qendra e mendimit Emirati Emirates Policy Center (EPC) e konsideron vdekjen e Sinwar-it si fillimin e mundshëm të “një kapitulli të ri” të luftës në Gaza. “Sapo përgjegjësia për negociatat e armëpushimit t’u transferohet udhëheqësve të Hamasit jashtë vendit, këto negociata do t’i nënshtrohen edhe kalkulimeve të jashtme, sepse të gjithë këta liderë jashtë vendit janë të ndikuar nga kryeqytetetet, në të cilat ndodhen dhe ndoshta është ndikimi i këtyre kryeqyteteve që Hamasi mund të bëjë lëshime dhe të iniciojë një politikë të re”, tha al-Qawas për DW. Udhëheqja politike e Hamasit është e vendosur në Katar, megjithatë, Sinwari me bazë në Gaza ka qenë personi i tyre i preferuar për negociatat e armëpushimit të udhëhequra nga SHBA, Katari dhe Egjipti me Izraelin që nga vrasja e Haniyeh.

Lintl nga Fondacioni gjerman tha për DW se pavarësisht vdekjes së Sinwar-it, ai sheh pak arsye për të shpresuar se Izraeli mund të jetë i gatshëm që tani t’i japë fund luftës. Pavarësisht se e përshëndeti vdekjen e Sinwarit si fundin e Hamasit të enjten, kryeministri izraelit Netanyahu gjithashtu bëri të qartë se lufta nuk do të përfundonte para se liderët e mbetur të Hamasit – si Mohammed Sinwar, vëllai i Yahya Sinwar dhe pasardhësi i tij si shef ushtarak i Hamasit – të eliminoheshin dhe të gjithë pengjet e mbajtur nga Hamasi të kthehen.

Përtej Gazës – hakmarrja e Hezbollahut

Pas Gazës, Izraeli gjithashtu i është kundërvënë Hezbollahut në Liban pas një viti përleshjesh të kufizuara. Grupi militant i mbështetur nga Irani, Hezbollahu  – të cilin SHBA dhe Gjermania e kanë cilësuar plotësisht si një organizatë terroriste dhe krahu i armatosur i të cilit konsiderohet i tillë edhe nga Bashkimi Evropian – pretendon se vepron në mbështetje të Hamasit. Në shtator, Izraeli vrau liderin e tij, Hassan Nasrallah. Vëzhguesit theksojnë se vrasje të tilla nuk kanë ndihmuar në përfundimin e armiqësive. Kur vdekja e Sinwar-it u bë publike të enjten, Hezbollahu njoftoi një “fazë të re dhe përshkallëzuese” në luftën e tij me Izraelin, duke pretenduar se për herë të parë kishte përdorur raketa të drejtuara me precizion kundër Izraelit në një përpjekje për të “përshkallëzuar ditë pas dite.” /DW

Advertisement