Connect with us

Shkrime

E besoj që në Strasburg janë çuditur

Nga Mero Baze

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbërriti sot në Tiranë, pak pasi një grup deputetësh të opozitës mbërritën në Strasburg, për t’iu ankuar Parlamentit Evropian mbi “persekutimin” e opozitës në Shqipëri.

Të dy palët dukeshin të kënaqura.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dukej e kënaqur nga arrestimi i Ilir Metës dhe inkurajoi drejtësinë të bënte punën e vet. Disa orë më parë dhe Departamenti i Shtetit kishte bërë të njëjtën gjë.

Por dhe deputetët e opozitës dukeshin të kënaqur. Ata ngulin këmbë se Parlamenti Evropian ishte çuditur me ta.

Dhe i besoj plotësisht.

Si mund të mos çuditet një europarlamentar kur shikon një grup deputetësh që shkojnë të ankohen para dyerve të Parlamentit Evropian pse arrestohen politikanë të lartë për korrupsion. Aktualisht në burgje janë rreth 5 ish- ministra dhe zëvëndëskryeminstri i PS, dhe 6 kryetarë bashkish, si dhe dy drejtues opozite. Të gjithë të akuzuar për korrupsion.

Pa diskutim që europarlamentarët që kanë arritur të kuptojnë pse kanë shkuar këta tanët deri në Strasburg, do jenë çuditur.

Si të mos çuditet një europarlamentar kur arrin të kuptojë që presidentja e tyre ka shkuar të falenderojë Shqipërinë për reformat në drejtësi, madje të inagurojë aty shkollën e BE, ndërsa disa deputetë shqiptarë të shkojnë tek ankohen tek deputetët e thjeshtë që iu bie rruga para selisë së parlamentit.

Si të mos çuditet një europarlamenetar kur arrin të kuptojë se në Shqipëri deputetët e kanë më të lehtë të mbajnë në krye të partisë një hajdut familjarisht, dhe të kërkojnë të ndryshohen ligjet që ai të mos dënohet, se sa të zgjedhin dikë që nuk ka vjedhur, dhe të jenë të qetë për pastërtinë e figurës së kryetarit të tyre.

Dhe në fund padyshim që çudia më e madhe për ta ka qenë kur u kanë kërkuar ndihmë për të ndryshuar këtë situatë. Pra kur kanë kuptuar se ata deputetët e Tiranës duan që deputetët e Evropës të ngrihen në këmbë e të nxjerrin nga burgu këta që ka arrestuar drejtësia e re dhe të urdhërojnë që tani e tutje në këtë vend duhet të burgosen vetëm ata që duan këta deputetët.

I vetmi problem që mund të ketë shkaktuar çudia e tyre, është pse kanë zgjedhur Strasburgun për këtë shëtitje, dhe kanë dyshuar mos vallë në Shqipëri është hap fjala që aty janë mbledhur gjithë budallenjtë e Evropës dhe ata të opozitës mund t’i gënjejnë.

Për këtë me siguri do bëjnë verifikimet e tyre.

Për të tjerat janë të qartë. Në Shqipëri disa drejtues të opozitës janë në burg për korrupsion, ndërsa disa kandidatë për drejtues, që varen nga këta të parët, ishin në Strasburg për të protestuar kundër ndëshkimit për korrupsion.

Fatkeqësia është që Strasburgu është me prokurorët dhe gjykatësit që ndëshkojnë, dhe jo me viktimat e tyre. Deputetët e opozitës janë me viktimat.

“Hane burg, hane Strasburg”, do thoshte Berisha majë penxheres.

Advertisement