Connect with us

Kosova

Asociacioni, mënyra më e mirë për të menaxhuar integrimin e serbëve

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka potencuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është mënyra më e mirë për të menaxhuar integrimin e serbëve në institucionet kosovare.

Diplomati britanik gjithashtu ka thenese ky mekanizëm shërben edhe për të rregulluar kushtet e serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Kosova me Asociacionin dërgon sinjal se dëshiron dhe ka vullnet për ta çuar dialogun përpara. Me Asociacionin Kosova do të dërgonte sinjal shumë të rëndësishëm edhe për partnerët dhe bashkësinë ndërkombëtare duke treguar se është e gatshme për t’u bashkuar kombeve evropiane” –  ka thënë Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar.

Ai gjithashtu ka shprehur keqardhje që Kosova nuk ka arritur që të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës duke kujtuar se ishte pikërisht çështja e Asociacionit ajo e cila e pamundësoi këtë.

“Topi tani është në fushën e Kosovës”, deklaroi ambasadori duke aluduar se nëse Kosova dëshiron të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare duhet të procedojë me tutje me Asociacionin.

Duke folur për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, ambasadori britanik ka vlerësuar se në këtë çështje rol të madh luan procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

I pyetur për planin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve, diplomati ka potencuar se Mbretëria e Bashkuar nuk e kundërshton hapjen e saj, përveç se një gjë e tillë duhet të ndodh në kohën dhe rrethanat e duhura.

Advertisement