Kosova
TANI ESHTE MJAFT/ KE-ja kërkon këtë gjë nga Serbia për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Në raportin për vitin 2024 të Komisionit Evropian (KE) për Serbinë, një pjesë i është kushtuar edhe çështjes së pakicave kombëtare, duke përmendur veçanërisht çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – dhe nënpërfaqësimin e tyre në institucionet shtetërore të Serbisë.
“Anëtarët e pakicës kombëtare shqiptare kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si policia kontrollon statusin e vendbanimeve në pjesën jugore të Serbisë, duke rezultuar në ‘pasivizimin’ e disa adresave”, ka thënë KE-ja në Raportin e Progresit.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë ngritur zërin kundër diskriminimit që përjetojnë çdo ditë në Serbi. Ata kanë kërkuar të integrohen nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, por edhe të zgjidhet çështja e pasivizimit të adresave – kërkesa që janë përfshirë edhe në planin e veprimit prej shtatë pikash, por që nuk është miratuar.
Gjithashtu, raporti ka evidentuar edhe gjuhën e urrejtjes në media, përfshrirë nga deputetët e Kuvendit të Serbisë, kundër pakicave kombëtare. Në raport është përmendur edhe çështja e gjuhëve të pakicave kombëtare, krahas rëndësisë së funksionimit të duhur dhe pavarësisë së këshillave të pakicave kombëtare në Serbi.