Shkrime
PD do zhgënjehet nga tra(m)pizmi i saj
Nga Mero Baze
Nëse dëgjon ligjërimin politik të Partisë Demokratike javët e fundit, pas fitores së Trumpit, të krijohet ideja se i vetmi plan për fitoren e PD dhe kthimin e saj në pushtet, është Donald Trump.
Në këtë budallallëk janë përfshirë të gjithë, ata që e besojnë dhe ata që nuk e besojnë, ata që e kanë me të dëgjuar dhe ata që e kanë me të provuar atë që nuk ndodh.
Madja, situata ka shkuar dhe më keq. Tra(m)pizmi i PD-së është kthyer në një garë, njësoj si djegia e karrigeve apo histeria e Vokshit, për të qenë pjesë e listës së PD-së.
Edhe kjo garë ka ngjyrat e saj.
Fjala vjen, Këlliçi është në krye të listës, pasi ai ka harxhuar disa javë në SHBA në fushatë, dhe flet si njeri i brendshëm. Ai, fjala vjen, mund t’u tregojë dhe se çfarë pijesh preferon Marco Rubio, dhe si ai i foli Trumpit për Berishën, apo sa dashnore ka Matt Gaetz, ministri i ri i Drejtësisë, krahasuar me Ulsi Manjan, dhe pse shefi i ri i CIA-s, John Ratcliffe, do ta heqë Vlora Hysenin nga kreu i SHISH dhe do zgjedhë një nga PD.
Pastaj, poshtë, deklaratat marrin ngjyrat dhe formate të ndryshme. Për shembull, Luçiano Boçi e do që Berishës t’i hiqet “non grata” para zgjedhjeve, Flamuri e do që t’i kërkojnë dhe falje, Albana e do që Trumpi të marrë shembull nga Berisha që nuk ka qenë kurvar, e kështu me radhë.
Pra, nuk është problemi që PD është trapzuar, në vend që të trampizohej, por akoma më keq e kanë kthyer këtë në garë për t’i hyrë në zemër Berishës që t’i fusë në listë.
Që një parti politike, kudo në botë, të lakmojë modelin e Trumpit për të fituar, është normale, por aman, për të gjetur dikë si Trumpi, duhet të krijojnë një figurë si Trumpi dhe pastaj të fitojnë.
Në PD janë mbledhur një tufë qejflinjsh të Trumpit dhe mendojnë që po ta kesh qejf Trumpin, fiton dhe ti.
Dhe e gjitha kjo vetëm se duan të duken të dobishëm deri në zgjedhje. Pas zgjedhjeve, pastaj, kur Berisha do vazhdojë të jetë në majë të pendës, apo brenda pendës, diku tjetër, dhe “non grata” të forcohet me ndonjë lider tjetër opozitar, përveç këtyre të qeverisë, i gjithë ky trapizëm i PD-së me fitoren e Trumpit, që është e vetmja valë pro-amerikane këto 11 vjet në PD, do të konvertohet përsëri në anti-amerikanizëm edhe më të egër, pasi është zhgënjim i radhës, jo nga Trumpi, por nga ata që flasin në emër të Trumpit në Tiranë.
E thënë ndryshe, zhgënjim nga trapizmi i PD-së, jo nga trampizmi.