Aktualitet
Moti i keq në vend/ Policia e Shtetit apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes
Policia e Shtetit apelon drejtuesit e automjeteve për kujdes të shtuar gjatë këtyre orëve dhe në vijim, pasi vendi është përfshirë nga mot i paqëndrueshëm. Reshje shiu dhe dëbore janë regjistruar në pjesën më të madhe të vendit duke shkaktuar edhe problematika.
Përmes një njoftimi, policia ka bërë një përditësim të situatës në vend. Bëhet me dije, se disa nga akset më kryesore si Bypass-Qafë Murriz në Dibër është e bllokuar, Fushë Arrëz – Iballë, në segmentin Qafë Shari – Laku i Ballçit, aktualisht është i pakalueshëm, Qafë Thanë – Librazhd ka vështirësi në qarkullim për kamionët.
Ndërkohë, borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.
Njoftimi i policisë:
Për shkak të motit të keq me reshje dëbore në disa qarqe të vendit dhe reshje shiu, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e punonjësve të Policisë Rrugore në terren dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën për përdoruesit e rrugës në nevojë.
Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të tregojnë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Situata aktuale në akset rrugore:
• Aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër është bllokuar nga Policia Rrugore e Dibrës dhe Tiranës për të shmangur pengesat dhe bllokimin e rrugës si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të dëborës. Firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës nga dëbora.
• Aksi rrugor Fushë Arrëz – Iballë, në segmentin Qafë Shari – Laku i Ballçit, aktualisht është i pakalueshëm për shkak të reshjeve të dëborës dhe erës së fortë. Nga ana e Bashkisë Fushë Arrëz po merren masa për të dërguar mjete (Fadroma) për hapjen e rrugës.
• Aksi rrugor Qafë Thanë – Librazhd ka vështirësi në qarkullim për kamionët, për shkak të reshjeve të pandërprera të dëborës.
• Në të gjithë vendin, akset e tjera rrugore janë të hapura. Borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.
Njëkohësisht, masa janë marrë edhe në akset rrugore nacionale dhe urbane për shkak të reshjeve të shiut, duke shtuar patrullat e policisë rrugore.