✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

POLITOLOGU KA KUSHTE PER BASHKINE: KANDIDOJ NESE MBESHTETET NGA GJITHE OPOZITA

Politologu Ermal Hasimja nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për Bashkinë e Tiranës, por ka vendosur një kusht të qartë: mbështetjen e shumicës së forcave opozitare, idealisht të të gjitha palëve. Në një intervistë për emisionin “Të Pashoq”, në kanalin e YouTube të “Pamfletit”, Hasimja deklaroi se nuk do të pranonte të hynte në garë si një kandidat që do të përçante më tej votën opozitare.

I pyetur nëse ka ambicie për drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe nëse ka pasur diskutime në kuadër të përpjekjeve të Sali Berishës për krijimin e një fronti të gjerë opozitar, Hasimja u shpreh se kandidimi i tij do të kishte kuptim vetëm nëse do të siguronte një mbështetje të gjerë politike.

“Unë do të isha një kandidat për Bashkinë e Tiranës vetëm në qoftë se kjo kandidaturë do të mbështetej të paktën nga shumica e palëve. Por idealisht nga të gjitha. Nuk do të isha kurrë një kandidat i pestë ose i gjashtë për të përçarë akoma më tepër opozitën. Kjo s’ka asnjë lloj kuptimi për mua”, deklaroi Hasimja.

Politologu kujtoi se emri i tij ishte përmendur edhe rreth një vit më parë si kandidat i mundshëm për drejtimin e kryeqytetit, por theksoi se ambiciet personale nuk duhet të jenë përcaktuese në këtë proces. Sipas tij, objektivi kryesor duhet të jetë marrja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës nga opozita, por jo thjesht si një fitore administrative.

“Për mua e rëndësishme është që përtej çështjeve të ambicieve individuale, personale, ajo që është gjëja më kryesore është që të merret Tirana”, u shpreh ai.

Hasimja argumentoi se gara për kryeqytetin ka një rëndësi që shkon përtej administrimit të qytetit, pasi sipas tij ajo mund të shndërrohet në një përballje të drejtpërdrejtë politike me kryeministrin Edi Rama.

“Këto nuk do të jenë zgjedhje thjesht administrative. Këto zgjedhje në Tiranë do të jenë referendum kundër Edi Ramës”, deklaroi politologu.

“Nuk do të dalin thjesht për të zgjedhur dikë që t’ju mbushë gropat edhe do pastrojë ajrin në Tiranë. Do dalin edhe për të zgjedhur dikë i cili Tiranën do ta shfrytëzojë si një model të mirë, të përsosur, për t’ia kundërvënë modelit socialist të qeverisjes dhe për të përshpejtuar rrëzimin e qeverisë”, tha Hasimja.

Në këtë kontekst, politologu vlerësoi se opozita duhet të jetë e kujdesshme në përzgjedhjen e kandidatit për kryeqytetin. Sipas tij, nuk mjafton që kandidati të jetë një figurë e njohur publikisht, por duhet të ketë edhe aftësitë e nevojshme politike dhe intelektuale për të përfaqësuar një alternativë qeverisëse.

“Nuk mjafton thjesht të fitohet Tirana. Duhet që të merret Tirana dhe kjo të shërbejë pastaj edhe për rrëzimin e shpejtë të qeverisjes socialiste”, theksoi ai.

Pjesë nga intervista:

– Keni ambicie për Bashkinë e Tiranës? Është bërë ndonjë bisedë sepse kryedemokrati Berisha për shembull i ka ftuar të gjitha edhe partitë e reja, të vogla të ashtuquajtura, për t’u bërë bashkë në një front të madh opozitar edhe me pjesën e protestuesve kundër Edi Ramës.

Ermal Hasimja: Unë do të isha një kandidat për Bashkinë e Tiranës vetëm në qoftë se kjo kandidaturë do të mbështetej nga… të paktën nga shumica e palëve. Por idealisht nga të gjitha. Por nuk do të isha kurrë një kandidat i pestë ose i gjashtë për të përçarë akoma më tepër opozitën. Kjo s’ka asnjë lloj kuptimi për mua. Unë mendoj që…

-Pra vetëm si kandidat i unifikuar?

Ermal Hasimja: I kisha thjesht, siç më doli emri edhe… siç më doli emri edhe përpara një viti në qoftë se e mbani mend.

-Po, po, patjetër prandaj edhe u bëra pyetjen, qëndron ende ambicia apo tani mund, ndoshta është kjo që po shihet dhe skenari i një lëvizje studentore që mund të pozicionohesh dhe aty dhe ikën pjesa e bashkisë?

Ermal Hasimja: Nuk e di, gazetarët kanë shumë më tepër ashtu skenarë sesa ne që jemi lojtarët ose aktorët publikë. Por, s’është kritikë kjo, kjo është detyra e gazetarëve në fund të fundit, edhe unë kam qenë vetë gazetar. Por, e thashë, për mua e rëndësishme është që përtej çështjeve të ambicieve individuale, personale, ajo që është gjëja më kryesore është që të merret Tirana. Dhe ka një gjë këtu, unë mendoj që është shumë e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme sepse sot kur edhe kur flitet për Bashkinë e Tiranës, flitet në fakt në një mënyrë relativisht sipërfaqësore. Me idenë që, hajde t’ia marrim Ramës Tiranën, t’ia marrim Partisë Socialiste Tiranën. Nuk mjafton kaq. Sepse këto nuk do të jenë zgjedhje thjesht administrative. Këto zgjedhje në Tiranë do të jenë referendum kundër Edi Ramës. Domethënë ata që do dalin aty, nuk do dalin thjesht për të zgjedhur dikë që t’ju mbushi gropat edhe do pastrojë ajrin në Tiranë. Do dalin edhe për të zgjedhur dikë i cili Tiranën do ta shfrytëzojë si një model të mirë, të përsosur, për t’ia kundërvënë modelit socialist të qeverisjes dhe për të përshpejtuar rrëzimin e qeverisë. Kështu që, nuk mjafton thjesht të fitohet Tirana, nga kjo rrjedhin edhe kriteret që unë mendoj që do duhet të zbatoheshin për të përzgjedhur pastaj kandidatët, por duhet që të merret Tirana dhe kjo të shërbejë pastaj edhe për rrëzimin e shpejtë të qeverisjes socialiste. Kështu që do duhet të jenë njerëz që, jo thjesht janë të njohur, por do duhet të jenë edhe njerëz që e kanë kapacitetin intelektual, publik, politik, për të rrezikuar dhe për ta përshpejtuar rrëzimin e qeverisjes.

Advertisement