Kronike
44-vjeçari qëllon aksidentalisht shokun, 29-vjeçari humb jetën në vendngjarje
Një 29-vjeçar ka humbur jetën mesditën e sotme në Bulqizë, pasi dyshohet se është qëlluar aksidentalisht me armë gjahu gjatë një gjuetie në pyllin e fshatit Fushë-Sopot.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 13:40. Një 44-vjeçar, banues në Tiranë, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të një kafshe të egër, por plumbi ka goditur 29-vjeçarin, banues në fshatin Strikçan.
Për shkak të plagëve të marra, i riu ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, 44-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë për veprime të mëtejshme hetimore.
Arma e gjahut, e dyshuar si e përdorur në ngjarje, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.