Connect with us

Kronike

Dumani zbardh ngjarjen e vrasjes së Bujar Çelës/ Si u dështua atentati dhe kush ishte vrasësi i vërtetë

Ditën e sotme ka vazhduar dëshminë në Gjykatën e Posaçme i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.

Dumani ka rrëfyer për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të ish-mikut e ish-bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm Talo Çela, ngjarje kjo e ndodhur më 17 shtator të vitit 2020.

Ai ka deklaruar se vrasjen e Bujar Çelës kishte planifikuar ta kryente me një armë që ia kishte dhuruar ish-bashkëpunëtori i tij, vëllai i viktimës, Talo Çela, por i ishte bllokuar në momentin e atenatit.

Dumani ka shtuar më tej se kishte dhe një armë të tijën, por që nuk e kishte përdorur në krim, teksa në vrasje kishin marrë pjesë edhe Enver Diva dhe Besmir Xhixha, ku ka qenë ky i fundit që ka qëlluar në drejtim të Bujar Çelës.

“Kisha dy armë. Njërën e kisha për ta përdorur në vrasjen e Bujar Çelës, tjetrën e mbaja si zakonisht për vetëmbrojtje dhe nuk e përdorja në ngjarje. Tentova ta qëlloj Bujarin, por arma nuk më shkrepi. I thashë Xhixhës të qëllonte se nuk po më shkrepte. Nuk e përdora armën e dytë, sepse nuk doja ta bëja pis…” – ka rrëfyer i penduari i SPAK.

Dumani ka deklaruar se Bujar Çelën e kanë vrarë për shkak se ishte bërë vrasja e mikut të tij Klevis Kapllani, për të cilën dyshohej se ishte kryer nga Talo Çela dhe vëllezërit Manhasa.

Dumani thotë se ai bashkë me Enver Divën dhe Besmir Xhixhën pasi kishin marrë informacion nga Eljo Bitri, ishin nisur drejt shtëpisë së Bujar Çelës, por nuk kanë mundur ta kryejnë aty ekzekutimin, pasi u pikasën nga një person që nuk e njihte, dhe u larguan.

Por nga informacionet që kishte e dinte se Bujari e pinte kafen në një lokal ku ndalonin autobusët që niseshin për Greqi, dhe sapo e ka parë drejt tij është nisur Enver Diva, i cili ka qëlluar mbi Bujarin, por ai ishte ende gjallë.

Në këtë moment afrohet Dumani, i cili nxjerr pistoletën të cilën ja kishte bërë vetë dhuratë Talo Çela, por ajo nuk i ka shkrepur, prandaj ai ka kërkuar që Besmir Xhixha të zbriste nga makina dhe të qëllonte mbi Bujarin me një pistoletë 9 mm.  Pas vrasjes ata janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës ku kanë djegur makinën që kishin përdorur për të kryer vrasjen, ndërsa armët i kishin hedhur në një kanal në Plepa në Durrës.

Atentati ndaj Bujar Çelës ndodhi më 17 Shtator 2020 te stacioni i autobusëve të Greqisë në Bradashesh, brenda një lokali. Kurse Klevis Kapllani u vra më 15 Shtator 2020, në një pritë afër shtëpisë në Rrogozhinë, dy ditë para Çelës.

Advertisement