Shkrime
Koalicioni i Berishës nuk është Aleancë e Shenjtë, por me siguri nuk është Aleanca e Qelbësirave

Nga Alfred Lela
Aleatët e Berishës janë një molotov joshpërthyes. Në kuptimin që, as të gjithë bashkë- as veç e veç, nuk përbëjnë ndonjë rupture (thyerje) të qenësishme në peizazhin politik të Shqipërisë. Por, politika vepron përmes asaj që është e mundshme, dhe asnjëherë ideale. Edhe nëse kërkoni në rropullitë e atyre që njihen si revolucione klasike, qoftë ai Amerikan, Rus apo Francez, do të gjeni nga heronjtë, naivët, hajvanët, deri te deliranët, të paskrupulltit, apo thjesht idiotët.
Atë që nuk mund ta gjeni ama në koalicionin e Berishës janë ‘skifterët’, narkotrafikantët, thellësisht të korruptuarit, atë soj që Mustafa Nano, në mënyrë gati profetike, do t’i përmblidhte në togfjalëshin përshkrues “aleanca e qelbësirave”.
Të gjithë këta (ende!) janë në anën e Ramës. Kështuqë, buza e hollë që del prej një jave ekran më ekran, duke kërkuar qimen në qull dhe sqimën në sqoll, duke u përvjelë në kinse neveri për “aleancën madhështore” të Berishës, është e pandershme me faktet, dhe e fsheh realitetin pas europerdes së interesit vetjak financiaro-politik. Afërmendsh, gazetarë/e të cilëve bashkëshortët/et u kanë marrë miliona nga fondet e Rilindjes, do të ftojnë Jenisherin e të tjerë, në përpjekjen për të përqeshur Berishën dhe aleatët.
Ka për të rrudhur buzët në koalicionin e opozitës, por jo edhe për të bërë buzëhollin, a thua se, në anën tjetër, në malin Rushmore të klasikëve të atdheut, rrinë serbes figurat e Hamilton-it, Jefferson-it dhe Roosevelt-it.
Çdo shqiptar pa investim personal apo politik te Rilindja, me të parën dhe pa vonuar, do të arrinte në një përfundim bazik. 25 aleatët e Berishës mund të mos jenë kushediçfarë, por janë gjithsesi, më të paktë në numër dhe aq më pak në bëma, se banda e Ramës, që gjendet qelive të burgut apo paraburgimit. Aty i ke të gjithë: deputetë, kryebashkiakë, ministra, e turlifarë zyrtari.
Disa prej aleatëve të ASHM mund t’i etiketosh si delirantë apo jodomethënës, si kryetarë me vulë, por pa elektorat, por jo si tjetërsues të miliona eurove të taksapaguesve bashkatdhetarë, jo si dëbues të shqiptarëve në emigracion, jo si emra që shfaqen në përgjimet dhe dosjet kriminale të eksponentëve të Rilindjes.
Ata mund të marrin pak vota, por nuk vjedhin shumë vota.
Pa harruar atë tjetrën se, të njëjtëve buzëhollë, kur u duhej aleanca fluide me ata që shajnë sot-kur Basha bojkotoi parlamentin- e patën mbyllur syrin dhe sqepin dhe shijuar ‘vrimat’ që mund të mbyllnin me ata që sot quajnë ‘qesharakë’.
Të çirresh gjithë ditën për Berishën ‘bufi, bufi’ dhe të përqendrohesh të Jenisheri apo Gjuzi, është shenja se ngaqë nuk ke diçka për të treguar, ke diçka për të fshehur.
Rama përbën një kuriozitet të manulaeve politike me narrativën e tij futuriste, në të cilën nuk flet për 12 vitet kur ka qeverisur, por për 4 vitet ekstra kur kërkon të qeverisë. Ai nuk flet për tre mandatet që pati për ta antarësuar vendin në BE, por për ëndrrën e futjes në Europë.
33 vite më vonë, 27 prej të cilave ka qenë në pushtet, Edi Rama sillet sikur është studenti apo pedagogu i ’91, me thirrjen naivo-idealiste “e duam Shqiëprinë si gjithë Europa!”.
Pyetja që sot ka vlerë dhe përgjigje është çfarë ka bërë Rama këta 12 vjet, jo a do të bëjnë dot gjë 25 aleatët e Berishës.
E dimë përgjigjen e kësaj: nuk do të bëjnë gjë! Por as nuk po kërkohet prej tyre të bëjnë shumë. Kjo është përgjegjësi e partisë kryesore të koalicionit, asaj Demokratike. Krahasimi i periudhës 2005-2009 të PD me 2013-2025 të Rilindjes, do të mjaftonte për të kuptuar se, kur nuk ke arritje dhe as program, futesh në ChatGPT dhe kërkon një buf kënete për ta përdorur si mascot fushate dhe maskë për mungesë arritjesh dhe programi.

