Aktualitet
Bilanci/ 282 aksidente në 3 muajt e parë të vitit, 391 të vrarë e të plagosur
Tragjedia në Durrës, që tronditi opinionin publik, pasi dy fëmijë humbën jetën si pasojë e një aksidenti rrugor, rikthen sërish vëmendjen tek një fenomen që, pavarësisht masave dhe kontrolleve, vijon të marrë jetë në rrugët shqiptare. Një analizë e statistikave të pesë viteve të fundit tregon një realitet shqetësues. Numri i aksidenteve ka njohur ulje dhe ngritje, por bilanci i viktimave mbetet alarmant, madje viti 2025 rezulton më fatali i kësaj periudhe. Në vitin 2021, në të gjithë vendin u regjistruan 1376 aksidente rrugore. Si pasojë, 1860 persona u përfshinë në ngjarje rrugore dhe 197 prej tyre humbën jetën.
Një vit më pas, në 2022-shin, aksidentet ranë në 1165, ndërsa edhe viktimat pësuan ulje, me 164 jetë të humbura — shifra më e ulët e pesë viteve të fundit.
Por ky trend nuk zgjati.
Në vitin 2023, aksidentet u rritën sërish në 1285, ndërsa numri i viktimave shkoi në 192.
Kulmi i numrit të aksidenteve u arrit në vitin 2024, me 1666 përplasje rrugore dhe 2255 persona të përfshirë. Megjithatë, pavarësisht numrit më të lartë të aksidenteve, viktimat ishin 175 — më pak se në vitet pararendëse.
Kjo do të ndryshonte ndjeshëm në vitin 2025.
Edhe pse numri total i aksidenteve ra në 1375, u regjistrua bilanci më i rëndë i pesë viteve të fundit: 200 persona humbën jetën. Me më pak aksidente se një vit më parë, por me më shumë viktima, 2025 rezulton viti më fatal i periudhës 2021–2025.
Shqetësues mbeten edhe rastet e shkaktuara nga drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit. Nga 45 raste në vitin 2021, ato arritën në 62 në vitin 2024 dhe 30 në vitin 2025.
Ndërkohë, edhe shifrat e tre muajve të parë të vitit 2026 tregojnë se situata mbetet larg përmirësimit. Nga janari në mars janë regjistruar 282 aksidente, me 391 persona të përfshirë në aksidente.
Një tregues se, edhe këtë vit, rrugët vijojnë të mbeten mes kërcënimeve më serioze për jetën.
Dhe ndërsa statistikat flasin me numra… tragjedia e kësaj të diele në Durrës kujton se pas çdo shifre fshihet një familje e shkatërruar, një jetë e ndërprerë, dhe një pyetje që rikthehet pas çdo aksidenti fatal: a po bëhen rrugët shqiptare më të rrezikshme?