Politike
Salianji kritikon ashpër listat e PS: Rama po përpiqet të fshehë korrupsionin

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar nga burgu nëpërmjet një postimi në Facebook, duke kritikuar ashpër listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit.
Salianji e cilësoi përzgjedhjen e kandidatëve të Edi Ramës si një truk politik, që synon të maskojë realitetin e një qeverisjeje të korruptuar dhe të lidhur me krimin. “Një trup qeveritar obez nga hajdutëria, i infektuar nga skandalet, tani përpiqet të vendosë buzëkuq e pudër përpara zgjedhjeve,” – shkruan ai.
Sipas tij, Rama nuk ka sjellë asnjë fytyrë të re, por vetëm individë të bindur ndaj tij, të cilët nuk përfaqësojnë as interesat e qytetarëve dhe as demokracinë. Ish-deputeti akuzoi kryeministrin se po vazhdon të manipulojë procesin politik për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, ndërsa e përshkroi Partinë Socialiste si një “amalgamë e eksperimentit të tij personal”, dhe jo një parti të vërtetë politike.
Në përfundim, Salianji theksoi se shqiptarët tashmë e kanë kuptuar lojën e Ramës dhe nuk do të lejojnë që pushteti i tij të vazhdojë përmes manipulimeve dhe blerjes së votave. Ai shprehu bindjen se 11 maji do të jetë dita e humbjes totale për kryeministrin, duke e paralajmëruar për një fund politik pa kthim.

