Connect with us

Shkrime

Plani 4-vjeçar i ndërtuesit shkatërrimtar

Nga Enton Abilekaj

Pas 2 fushatash me timon dhe dajre, Edi Rama vendosi më në fund të paraqesë një program për katër vitet e ardhshme. Ndoshta për shkak të presionit publik, ndoshta për shkak të premtimeve të opozitës, por ia doli njëfarësoj të realizojë një show personal, që ka sadopak përmbajtje.

I vetmi problem është që përmbajtja nuk ngjante me atë të një Kryeministri, por me atë të një kompanie ndërtimi. Kur foli për Shëndetësinë, numëroi sa ndërtime janë bërë ose përshtatur për spitale, por jo për cilësinë e atyre që shërbejnë, pjesa më e madhe e të cilëve ka ikur. Foli për ilaçet me aftësinë që ka për të njohur çmimin e gjithçkaje, por vlerën e asgjëje. Çmimet vërtetë kanë rënë me 30 për qind, por vlera e ilaçeve ka rënë më shumë se 100 për qind. Ato vijnë nga çdo vend i Azisë, pa asnjë certifikatë të besueshme, sepse vetë Edi Rama e abrogoi ligjin që detyronte certifikatën europiane për ilaçet që hynin në vend.

I zhytur në koncesione klienteliste që janë nën hetim, buxheti i shëndetësisë nuk e lejoi Kryeministrin të premtonte për të ardhmen më shumë se kontratat koncesionare që vazhdojnë. Zgjerimi i moshës së check up p.sh. që ishte më shumë një premtim për koncesionarin se për qytetarët që këtë shërbim e marrin prej vitesh tjetërkund.

Si ndërtues foli edhe për Arsimin. Në një vend ku arsimi para-universitar renditet i fundit në PISA me një rënie spektakolarë në 10 vitet e fundit, përgjegjësi kryesor foli vetëm për numrin e shkollave që janë ndërtuar dhe do ndërtohen dhe për një kompani transporti publike. Brenda ligjëratës së tij, harrohej që po fliste Kryeministri. Nga çasti në çast mund të pritej çmimi i metrit katror, ose kostoja e biletës së minibusit, por asnjëherë rishikimi i kurrikulave, trajtimi dhe tranimi i mësuesve, rritja e kontrollit mësimor.

Në një vend ku arsimi i lartë renditet i fundit në Rajon, Kryeministri e pa të udhës të fliste përsëri për ndërtim. Kampuse të reja, truall, beton, metra katrorë, kryesisht në Durrës. Ndërsa studentët ikin të studiojnë jashtë, për shkak të nivelit të ulët këtu, zgjidhja e Edi Ramës ishte Pasaporta europiane, që do ulë çmimet e studimit në Europë.

Ashtu si për punëtorët që mund të iknin menjëherë sa të fuste Rama Shqipërinë në BE. Ky premtim nuk u bë më, sepse Kryeministri u konsultua me Shengenin dhe kuptoi që liria e punës nuk jepet menjëherë. Megjithëse e hëngri premtimin e punësimit, vazhdoi t’i joshë me largim qytetarët e tij, duke u thënë se pas 2027 do kenë mundësi të rrinë sa të duan në çdo vend të Bashkimit Europian. “Vetëm ikni”, ishte togfjalëshi që mungonte.

Kjo e fundit ishte pjesa e spektaklit ku ai, njësoj si ndërtuesit e mëdhenj bashkëkohor, paraqiti projektin më të madh të katërvjeçarit të ardhshëm. Ai ishte një pasaportë e re që në shfaqjen 2 dhe 3 dimensionale, do të ishte pasaporta eurpiane e Shqipërisë. Për elementët e sigurisë ndoshta nuk ia thotë, por grafikisht i bënte të gufonin zemrat e gjithë shqiptarëve, madje të gjithë pasaport-mbajtësve, edhe atyre që nuk janë bashkëkombas.

Një projekt i ngjashëm nuk ishte parë që nga inceneratori i Tiranës, Durrës Marina e të tjera mashtrime që kanë rezultuar me humbje qindra milionë euro për shqiptarët. I vetmi ndryshim është që këtë herë mund ta kundrojnë pa merakun e humbjes, se shpenzimi i vetëm, ai i grafistit, ishte bërë tashmë. Nga ky mashtrim i bukur, shqiptarët maksimumi do të humbasin vetëm votën, nëse do ta bënin kurban për projektin e Bashkimit Europian, që Rama kërkon t’ja vjedhë Brukselit.

Ajo që nuk sqaroi Kryeministri, që ecën gjithmonë në terrene të papërcaktuara nga ligji, ishte nëse ky është projekt i kryetarit të PS, apo i Kryeministrit. Sepse të përdorësh funksionin për fushatë nuk lejohet nga Kodi Zgjedhor. Pavarësisht se premtimi ishte vetëm një iluzion optik, Edi Rama si kryetar PS-je po e shiste bashkë me punën e “mijëra njerëzve që rrinë ditë e natë”. Ata janë në fakt administrata publike që po bën punën e vet, në një raund negociatash me BE. Një punë që nuk mund ta ndalojë dot asnjë qeveri, nëse nuk është antieuropiane.

Në të gjithë paraqitjen prej ndërtuesi, ajo që u duk sikur nuk ishte tipike për Ramën, kishte të bënte me shifrat e rritjes ekonomike dhe pagave. Kryeministri deklaroi se e ka rritur 2.5 herë prodhimin e Brendshëm Bruto dhe se do ta çojë 35 miliardë euro deri në 2030. Pra, do ta rrisë me 10 miliardë osë 40 për qind në 4 vjet, ose mesatarisht me 2.5 miliardë në vit, që do të thotë 10 për qind rritje mesatare ekonomike në vit.

Institucionet ndërkombëtare si Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë parashikuar një rritje ekonomike jo më të lartë se 3.7 për qind për 2025. Vetë Ministria e Financave, pra Edi Rama, e ka parashikuar 3.9, po aq sa ishte në 2024. Një ekonomi që në 12 vjet ka patur rritje jo më të lartë se 4 për qind (me përjashtim të dy vitete pas pandemisë që ishin rekuperim i rënies). Me këto parashikime, maksimumi i rritjes mund të shkojë në total 15 për qind në 4 vjet, dhe PBB nuk do të arrinte as 30 miliardë.

Nuk është për tu nxituar, sepse pas çdo premtimi të Ramës, ekzistojnë dy mundësi; e para të gënjejë paturpësisht siç ka bërë p.sh. me ujin e pijshëm 24 orë, gjë që jemi mësuar. E dyta, që është më e rrezikshme, t’ja arrijë. Njësoj si e bëri këto 12 vjet, që duke e ulur euron me 30 për qind, të llogarisë rritjen e Buxhetit dhe të pagave me të njëjtën metodë.

Kjo do të thotë që rritja e PBB dhe e pagave, nuk do të vijë nga rritja ekonomike, as nga deflacioni, por nga dobësimi i mëtejshëm i euros, që do të thotë më shumë para të pista në treg, më shumë beton për t’i pastruar paratë, më pak eksporte, më shumë ekonomi kriminale. Nuk ka vend për zhgënjim, edhe te rritja e pagave dhe PBB, foli si ndërtues.

 

 

Advertisement